Mbi 133 mijë doza të vaksinës AstraZeneca janë hequr nga përdorimi nga institucionet shëndetësore të Kosovës.

Kjo për shkak se të njëjtave iu skadoi afati i përdorimit. Ky donacion ishte dhuruar nga Norvegjia.

Madje për këtë situatë ministri Arben Vitia pati fajësuar edhe deputetë të caktuar të Kuvendit të Kosovës, ku sipas tij ndikuan në përhapjen e dezinformatave.

Mirëpo, edhe gjatë të premtes Vitia në një konferencë për media pohoi se dikasteri të cilën e drejton ka refuzuar donacione të tjera nga disa shtete evropiane.

“Kanë qenë oferta për donacione, pas asaj që i kemi marrë nga Norvegjia, që kanë pasë një afat skadimi jooptimal që do të na kishte garantuar se do t’i administrojmë te qytetarët tonë. Me rekomandim të Komitetit me mirësjellje i kemi falënderuar dhe refuzuar sepse ka pasë rrezik që edhe ato të mos mund t’i administrojmë”, deklaroi Vitia.

Anise kreu i shëndetësisë nuk dha detaje sa i përket sasisë dhe afatit të skadencës së këtyre vaksinave të falura, KlanKosova ekskluzivisht mëson se Polonia dhe Bullgaria në muajin gusht, Kosovës i kanë ofruar 200 mijë vaksina AstraZenca falas.

Mirëpo, MSH ka refuzuar një donacion të tillë, njofton Klan Kosova.

Pas kësaj përgjigje negative, të njëjtat shtete  i kanë ofruar Kosovës përsëri 200 mijë vaksina tjera Pfizer, megjithatë as këto nuk u pranuan me arsyetimin se Kosova tashmë ka furnizim të mjaftueshëm.

Burime të televizionit thonë se të dy këto kontingjente vaksinash kanë pasur afat të përdorimit deri më 31 tetor.