Kosova në duart e mafio-politikës!

 

Shkruan Faik KRASNIQI

 

Do të ishte naivitet i ynë i skajshëm, nëse presim që këta politikanë të korruptuar dhe të kriminalizuar, të cilët tash e 16 vite e kanë kapur shtetin për fyti, drejtësinë, doganat, ATK-në dhe çdo institucion shtetëror, dhe fajtorët për shkatërrimin e ekonomisë së Kosovës dhe degradimin e shtetit, që ta luftojnë krimin dhe korrupsionin, kur këta vetë janë ata që i zhvillojnë këto aktivitete kriminale! Prandaj nuk bën ta fajësojmë vetëm z. Lulzim Rafuna, për korrupsionin nëpër dogana, sepse z. Rafuna është i emëruar po nga mafiapolitike dhe tek e fundit ai është vetëm drejtor i doganave e asgjë më shumë, dhe ai detyrimisht duhet t’u bindet urdhërave të eprorëve të tij, ata të cilët e kanë emëruar në kë post! Që do të thotë kriminelët e politikës dhe parapolitikës! Ne të gjithë e dimë se ‘peshqit e mëdhenjë’ të politikës doganat i kanë në duart e tyre, dhe krimi ekonomik bëhet kryesisht nga bizneset kriminale që janë të lidhura ngushtë me ‘peshqit e mëdhenjë’ të politikës! Prandaj edhe z.Rafuna është i detyruar t’i mbyll sytë përballë krimeve të rënda ekonomike nëpër dogana, dhe nuk guxon të dalë kundër që t’i parandaloj veprimtaritë kriminale nëpër dogana, sepse po të veproj direkt do të preken të gjitha kompanitë kriminale, të cilat tash e 16 vite përmes bosave të politikës, kanë keqpërdorur dhe vazhdojnë t’i keqpërdorin Doganat e Kosovës, duke dëmtuar rëndë buxhetin e Kosovës dhe pasuruar në mënyrë të paligjshme! Nga ai moment që z.Rafuna do të merrte masa të rrepta për ta parandaluar kontrabandën dhe korrupsionin nëpër dogana, matrapazët e politikës dhe parapolitikës që iu cënohen interesat e tyre, marrin vendim dhe e shkarkojnë nga detyra, me arsyetime të lloj-llojshme: ose e akuzojnë për korrupsion, ose për joprofesionalizëm, ose i mveshin gjëra të tjera, pasi nuk po ju shkon më për shtati interesave të tyre dhe automatikisht e zëvendësojnë me dikë tjetër, që ta vazhdojnë krimin e tyre ekonomik përmes doganave, sepse e kanë në dorën e tyre edhe arrën edhe çekiçin, që do të thotë se ata vendosin se kë ta shkarkojnë dhe kë ta emërojnë!

 

Shteti duhet të pastrohet nga mafio-politika!

 

Mafio-politika dhe mafio-oligarkët, prej pas luftës në Kosovë, kanë krijuar një zingjir kriminal, përmes të cilit rrjet, kanë pushtuar çdo institucion shtetëror të Kosovës, për ta kontrolluar, abuzuar, vjedhur e plaçkitur sa më shumë këtë shtet dhe këtë popull! Ata nuk zgjedhin mjet për ta bërë një gjë të tillë! Edhe nëse është në pyetje jeta e qytetarëve, siç ishte rasti me skandalin e krundeve të kafshëve, skandali i stendave ku si pasojë vdiqën mbi 800 qytetarë të Kosovës, nëpër klinikat e mafio-politikës dhe qindra skandale të tjera, që kurrë askush nuk u dënua dhe të gjitha këto skandale të tmerrshme u heshtën, sikur nuk ka ndodhur asgjë, edhe pse vdiqën qytetarë të këtij vendi! Mafia-politika dhe parapolitika, i ka krijuar këta përmbarues, për t’i plaçkitur edhe në mënyrë të ”ligjshme”, qytetarët dhe bizneset e ndershme në Kosovë, dhe në mënyrë perfekte po i zbatojnë urdhërat e kapove të mafio-politikës! Me këta banditë dhe mafiozë në pushtet dhe në skenën politike dhe me Hajredin Kuçin ministër të drejtësisë, që e kanë kapur shtetin për fyti dhe janë fajtorët për shkatërrimin dhe kapjen e shtetit dhe të drejtësisë, nuk hetohet asgjë dhe nuk merret asnjë veprim për t’i pastruar të këqijtë nga Gjykatat dhe Prokuroritë, që në çdo shtet normal i ndjekin kriminelët dhe të korruptuarit! Por pjesa dërrmuese e këtyre prokurorëve dhe gjykatësve, janë të emëruar politikisht nga mafia-politika, prandaj edhe skena politike është e tejkriminalizuar dhe e tejkorruptuar, sepse nuk ka kush t’i fus në burg këta kriminelë, të veshur me petkun e politikanit! Kjo gjendje do të vazhdojë akoma, deri sa në skenën politike do të kemi këtë klasë politike, që e shkatërruan këtë shtet dhe këtë popull, dhe ky popull i shkretë që është gjunjëzuar dhe dorëzuar përballë kësaj kaste mafioze të politikës, në vend se t’ju kundërvihen, ata zgjedhin të marrin arratinë, drejt vendeve të perëndimit, edhe pse e dinë që për shqiptarët e Kosovës nuk ka azil!

 

- Advertisement -

MË TË FUNDIT