Kosova me pagat më të ulta në rajon

Paga minimale në Kosovë vazhdon të jetë më e ulëta në rajon.
Sindikalistët thonë se në takimin e radhës të Këshillit ekonomik social do të kërkojnë korrigjimin e lartësisë së saj dhe heqjen e kategorizimit, që sipas tyre diskriminon të punësuarit në bazë të moshës. Por vendimin për këtë duhet ta marrë qeveria.
Pavarësisht ngritjes së kostos së jetesës, paga minimale për punëtorët kosovarë është më e ulëta në rajon. Ajo nuk ka ndryshuar që nga viti 2011, e njëkohësisht është e kategorizuar në bazë të moshës, për punëtorët nën 35 vjec është 130 euro, kurse ata mbi 35 vjeç – 170 euro. Sindikalistët vazhdojnë ta kundërshtojnë si lartësinë e pagës, po ashtu edhe kategorizimin e të punësuarve, thotë nënkryetari i BSPK-së, Alush Sejdiu.
“Ne si BSPK asnjëherë nuk e kemi pranuar kategorizimin e pagës minimale, mirëpo qeveria ka nxjerrë një udhëzim administrativ për implementimin e pagës minimale në Kosovë dhe ajo është në afat trevjeçar”, thotë Sejdiu.
Sejdiu thekson se për këtë çështje do të diskutojnë në takimin e radhës të Këshillit Ekonomik Social, ku sindikalistët do të kërkojnë korrigjimin e pagës minimale.
“Sigurisht do ta kemi mbështetjen edhe të bizneseve që Këshilli Ekonomik Social të dalë me propozim tjetër për lartësinë e pagës minimale, duke pasur parasysh standardin dhe kushtet ekonomike, prandaj do të insistojmë që kjo të ndryshohet”, thotë Sejdiu.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini thotë se brenda këtij viti duhet të debatohet rreth kësaj çështjeje dhe të shikohen mundësitë nëse rritja e pagës minimale ngarkon sektorin privat dhe rritë informalitetin.
“Në kategori nuk guxon të ndahet pasi e humb efektin e vet. Ne atëherë patëm menduar se kjo do të inkurajojë kategoritë e moshave e që më vonë është parë se nuk është në rregull. Mbetet përfaqësuesit e punëdhënësve dhe punëtorëve të debatojnë përsëri”, thotë ai.
Këshillin ekonomik social tani e udhëheq ministri i punës dhe mirëqenies sociale Arban Abrashi, i cili nuk u prononcua për këtë çështje.
Ndryshe, me propozim të KES-it, pagën minimale e cakton qeveria e Kosovës në fund të çdo viti për vitin vijues. Ajo është e obligueshme të zbatohet nga punëdhënësit vendorë dhe të huaj. Gjatë përcaktimit të pagës minimale duhet të merren parasysh kostoja e shpenzimeve jetësore, përqindja e shkallës së papunësisë, gjendja e përgjithshme në tregun e punës dhe shkalla e konkurrencës dhe produktivitetit në vend.
- Advertisement -

MË TË FUNDIT