Kosova fillon marrëdhëniet diplomatike me Ishujt Solomon

Ambasadori i Kosovës në Australi, Sabri Kiqmari dhe Ministri i Jashtëm i Ishujve Solomon, George Milner Tozaka kanë nënshkruar Komunikatën e Përbashkët për fillimin e marrëdhënieve diplomatike.

Akti i lidhjes së marrëdhënieve diplomatike është nënshkruar gjatë vizitës zyrtare të Ambasadorit Kiqmari në kryeqytetin e Ishujve Solomon.

Në Komunikatën e Përbashkët thuhet se me qëllim të promovimit të miqësisë dhe bashkëpunimit në mes të dy vendeve në fushën politike, ekonomike dhe kulturore, mbi bazën e barazisë, respektit të ndërsjellë për pavarësinë dhe sovranitetin, bazuar në principet e Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe Konventës së Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike, të bindur se krijimi i marrëdhënieve diplomatike është në interes të të dy vendeve, të dy shtetet vendosin të lidhin marrëdhënie diplomatike mes vete në ditën e nënshkrimit.

Në fjalën e tij, ministri Tozaka deklaroi se me ditën e sotme fillon një etapë e re në marrëdhëniet në mes të dy vendeve duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunim në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë. Ambasadori Kiqmari pasi e ka falënderuar ministrin e Jashtëm Tozaka për njohjen e Republikës së Kosovës vitin e kaluar, duke thënë se nënshkrimi i Komunikatës së Përbashkët dëshmon për një raport të ngushtë miqësie që po krijohet në mes të dy vendeve, i cili do të jetë bazë e bashkëpunimit në fushat me interes të dyanshëm.

Gjatë ditës, ambasadori Kiqmari ka takuar edhe zyrtarë të tjerë të Ishujve Solomon, sekretarin e shtetit në MPJ, sekretarin e shtetit për industri, sekretarin e shtetit për arsim, kurse, sot pritet të vizitojë Universitetin Nacional në Honiara dhe Shkollën e Mesme King George VI.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT