Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami ka vizituar Organizatën Botërore të Tregtisë me Seli në Gjenevë. Atje ka takuar zyrtarët e OBT me të cilët ka biseduar për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë. Lexojeni të plotë njoftimin e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë: Ministrja Bajrami vizitoi Organizatën Botërore të Tregtisë në Gjenevë Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, z. Hykmete Bajrami vizitoi Organizatën Botërore të Tregtisë, ku u prit nga Drejtori i Divizionit për Zgjerim të OBT-së, Chiedu Osakwe me të cilin bisedoi rreth mundësive dhe procedurave për aplikimin e Republikës së Kosovës për anëtarësim në OBT. Ministrja Bajrami e njoftoi z.Osakwe me gjendjen e përgjithshme ekononomike në Kosovë dhe synimet e Qeverisë së Kosovës për vazhduar me integrimin e mëtejshëm në institucionet e rëndësishme ndërkombëtare, përfshirë OBT-në. Gjatë vizitës në selinë e OBT-së, Ministrja Bajrami e shoqëruar nga konsulli i përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Gjeneve Ramadan Avdiu, zhvilloi takime edhe me Detlev Brauns, shef i Misionit të BE-së në OBT si dhe takoi përfaqësuesit e misioneve permanente të Turqisë, Zvicrës dhe Shqipërisë. Vizita e Ministres Bajrami në OBT u zhvillua në kuadër të përgatitjeve që po bën Qeveria e Kosovës për të aplikuar në këtë organizatë të rëndësishme të tregtisë.
- Advertisement -