“Konservohet” kalaja e qytetit të Kaçanikut

Ka nisur “konservimi” dhe revitalizimi i pjesshëm i kalasë së qytetit përmes projektit Trashëgimia Kulturore pa Kufij (CHëB) dhe Komunës së Kaçanikut.

Për të përcjell ecurinë e punimeve, vend punishten e ka vizituar Kryetari i Komunës, z. Besim Ilazi i shoqëruar nga bashkëpunëtorët komunal.

Lindita Cërvadiku-Dibra, arkitekte njëherësh menaxhere e projektit e ka informuar kryetarin Ilazi se fillimisht është bërë pastrimi i gurëve të kalasë dhe heqja e bimëve duke përfshirë rrënjë të ndryshme, myshqe etj. Tani është duke u bërë konsolidimi i strukturës së murit veriperëndimor të kalasë dhe mbushja me gurë e pjesëve të murit. Muri veriperëndimor ka gjatësinë prej 45 metrash e trashësi prej 1,75 metrash, ndërsa lartësia e murit është nga 5,5 metrash, ndërsa gjatësia e murit verilindor është 55 metrash dhe lartësi mbi 9 metrash.

Fatos Koxha, drejtor i Urbanizmit, Kadastrit e Mbrojtjes së Mjedisit ka thënë se “konservimi” dhe restaurimi i pjesshëm i kalasë është faza e parë e projektit “Konservimi dhe revitalizimi i pjesshëm në kalanë e qytetit”, ndërsa në këtë fazë do të investohen 16 mijë euro..

Fatlume Guri, koordinatore e Forumit Lokal për Trashëgimi Kulturore ka thënë se projekti për restaurimin e Kalasë ishte ideuar nga Forumi Lokal për Trashëgimi Kulturore, duke e futur kalanë ndër prioritetet kryesore për intervenim në fushën e trashëgimisë kulturore. Ajo ka shtuar se restaurimi i tërësishëm i kalasë do të kushtoj 60 mijë euro, ndërsa mjetet janë siguruar nga fondacioni suedez për Trashëgimi Kulturore pa Kufij (CHëB) dhe Komuna e Kaçanikut.

Sipas saj përveç ndërhyrjes emergjente në muret e kalasë, mënjanimin e bimësisë etj, do të bëhet edhe sigurimi i kalasë përmes rrethojës dhe dyerve hyrëse të kalasë, rregullimi i shiritave për ecje, ndriçimi etj. Komuna e Kaçanikut dhe fondacioni suedez Trashëgimia Kulturore pa Kufij (CHëB) e kanë nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi për trashëgimin kulturore, përkatësisht zbatimin e një programi të financuar nga Suedia  i cili ka për qëllim mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore gjatë periudhës 2013 – 2015. Memorandumi është nënshkruar edhe nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) dhe Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH).

- Advertisement -

MË TË FUNDIT