Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK) ka shpallur konkurs të Drejtor i Spitalit të Përgjithshëm në Mitrovicë, i cili është mbyllur për konkurrim tashmë dhe është në fazën e përzgjedhjes së kandidatëve.
Veriu.info ka kërkuar nga ShSKUK-ja të marrë informata se ku gjendet procesi, me ç’rast në një përgjigje të dhënë nga Zyra e Drejtorit të Përgjithshëm të ShSKUK-së thuhet: “Të premten, me datë 18.05.2018, kandidatët do t’i nënshtrohen testimit me shkrim, e pastaj do vazhdohet me procedurat e tjera.
Kandidatët që kanë plotësuar kriteret e konkursit e që janë publikuar edhe në listën e shpalljes së SHSKUK-së janë: Bedri Bimbashi, Burim Gashi, Lulzim Hoti, Mimoza Zeqiri, Hamëz Berisha dhe Remzi Rrahmani”.
Pesë nga kandidatët janë doktorë, pra që vijnë nga fusha e shëndetësisë, ndërsa Mimoza Zeqiri është juriste.
Mirëpo, në listën e publikuar fillimisht nga ShSKUK-ja shihet se nuk gjendet emri i Remzi Rrahmanit, ndërsa sot nga Zyra e Drejtorit të Përgjithshëm të ShSKUK-së bëjnë të ditur se edhe ai do t’i nënshtrohet testimit.
Burimet të Veriu.info nga ShSKUK-ja bëjnë të ditur se Remzi Rrahmani është futur në listën e ngushtë pas një ankese të bërë, pas të cilës edhe ai është thirrur në intervistim. Emri i tij nuk është i panjohur për publikun e Mitrovicës, pasi që ai në zgjedhjet e fundit lokale ka qenë kandidat i PDK-së për Kuvend Komunal, por që nuk ka marrë vota të mjaftueshme për t’u zgjedhur.
Veriu.info mëson se Remzi Rrahmani nuk e ka të përfunduar akoma provimin specialistik, ndërsa punon në Shkollën e Mesme të Mjekësisë në Mitrovicë.
Nga Mitrovica doktor Remzi Rrahmani nuk është personi i vetëm i afërt me PDK-në e që garon për drejtor të Spitalit të Mitrovicës, pasi që në listë të ngushtë është përzgjedhur të hyj edhe Mimoza Zeqiri, e cila është gruaja e Lulzim Zeqirit, i cili ishte drejtor i Drejtorisë së Inspeksionit në Qeverisjen komunale të Avni Kastratit dhe këshilltar i kryeparlamentarit Kadri Veseli në legjislaturën e kaluar. Pra, ai ishte koleg me tashmë ministrin e Ministrisë së Shëndetësisë, Uran Ismailin, pasi që të dytë ishin këshilltar të Kadri Veselit. Mimoza Zeqiri nuk ka përvojë pune në QKMF apo Spital.
Sikurse Remzi Rrahmani, edhe Lulzim Zeqiri ishte kandidat i PDK-së për Kuvend Komunal, por që as ky nuk kishte arritur të marrë vota të mjaftueshme për t’u zgjedhur. Madje, për të qenë ironia edhe më e madhe, Lulzim Zeqiri e Remzi Rrahmani janë renditur gati në mënyrë të barabartë me vota dhe që të dy janë të parët në listën e pritjes për asambleist, kurdo që ndonjëri prej asambleistëve të PDK-së heq dorë nga pozita e anëtarit të Kuvendit Komunal, ata do të mund të bëhen asambleist.
Ndryshe, Veriu.info në tetor të vitit 2015 kishte raportuar se si Mimoza Zeqiri, gruaja e këshilltarit të Kadri Veselit, ishte zgjedhur anëtare e Bordit në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit në Mitrovicë, pozitë të cilën e mbanë akoma.
Burime të Veriu.info bëjnë të ditur se ministri Uran Ismaili është duke bërë përpjekje, që përveç në Mitrovicë, edhe në dy spitale tjera të emëroj drejtor persona që nuk janë nga fusha e shëndetësisë, duke i eliminuar kështu doktorët që janë të specializuar në këtë fushë.
Kandidat tjetër për drejtor të spitalit të Mitrovicës është edhe fiziatri Bedri Bimbashi nga Skenderaji, i cili punon ne Spitalin të Mitrovicës. Ai momentalisht është Shef i Fiziatrisë në Mitrovicë.
Ndër kandidatët më serioz dhe profesional për drejtor të Spitalit të Mitrovicës, është Hamëz Berisha, specialist i Mjekësisë Emergjente, i cili nga shtatori i vitit 2016 është UD i Drejtorit të Spitalit të Mitrovicë. Ai nga tetori i vitit 2012 deri në shtator te vitit 2016, ka qenë Shef i Emergjencës në Mitrovicë. Gjatë kohës sa Spitalin e Mitrovicës e ka udhëhequr Hamëz Berisha, janë pranuar rreth 30 specialistë të rinj. Si sukses tjetët konsiderohet edhe fakti se në këtë kohë janë funksionalizuar: Ortopedia, Kirurgjia, Anestezioni, Radiologjia, Alergologjia, etj.
Ndërkaq, kandidati Burim Gashi nga Skenderaji punon si Oftalmolog në Spitalin e Mitrovicës, duke qenë edhe Shef i Repartit te Oftalmologjise.
Garës për të parin e spitalit do t’i nënshtrohet edhe Lulzim Hoti nga Drenasi, i cili është Specialist i Mjekësisë Emergjente dhe punon në këtë spital. Hoti momentalisht është UD i Shefit të Emergjencës, ndërsa më parë ka punuar edhe në Ferronikel. Ai ka vetëm 3 vite që është i punësuar në Spitalin e Mitrovicës në repartin e Emergjencës./Veriu.info