Konkurrencë e ashpër për staf akademik në UP

    Mbi një mijë kandidatë kanë aplikuar për t’u bërë pjesë e stafit akademik në Universitetin e Prishtinës, pas një konkursin publik të shpallur për 297 pozita.
    Drejtues të UP-së kanë thënë se përzgjedhja e kandidatëve për pozitat e shpallura ende është në procedurë. Dekanë fakultetesh kanë thënë se Komisionet e kanë kryer punën mirë, dhe pas afatit të ankesave, i mbetet Rektoratit që të bëjë zgjedhjen përfundimtare.
    Universiteti po ballafaqohet me trefishin e konkurrentëve për pozitat e shpallura për asistentë dhe mësimdhënës, e kjo është pothuajse shifra më e lartë e kandidatëve që ka pasur UP-ja që nga paslufta, ka thënë për “Kohën ditore” një zyrtar i lartë i UP-së, duke folur me kusht që të mos i përmendet emri në gazetë. “Ka raste kur për një pozitë kanë konkurruar deri në dhjetë kandidatë, por ka edhe të atillë kur ka vetëm një kandidatë”, ka thënë zyrtari i UP-së.
    Ai ka bërë të ditur se konkursi pritet të përmbyllet me ndryshime të mëdha për Universitetin, meqë jashtë tij do të mbesin emra ministrash, fëmijë profesorësh e doktorësh, të cilët kanë qenë pjesë e stafit akademik, në Njësi të ndryshme të UP-së.