Kongresmeni republikan, Lee Zeldin, i ka shkruar një letër Byrosë për Çështje Legjislative në Departamentin Amerikan të Shtetit lidhur me shpalljen “person të padëshiruar” të ish-presidentit dhe ish-kryeministrit shqiptar, Sali Berisha.

Ai, në këtë letër, ka kërkuar qasje në të gjitha informacionet në të cilat Departamenti i Shtetit është mbështetur për ta shpallur “non-grata” Sali Berishën dhe familjen e tij.

“Kërkoj shpjegim të detajuar për procesin që Departamenti i Shtetit e ka ndjekur për të marrë vendim për këtë rast”, thuhet në letrën e Zeldin të cilin e ka siguruar Klankosova.tv.

Kjo çështje është diskutuar dje në Komisionin e Punëve të Jashtme të Shtëpisë së Bardhë ku kongresmeni republikan, Lee Zeldin, i ka kërkuar Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken, informacione specifike për vendimin ndaj Sali Berishës.

Ai ka theksuar se ka bërë edhe vetë hulumtime duke shtuar se s’ka gjetur asgjë për përfshirje korruptive të Berishës.

Blinken ka deklaruar se procedurat për t’ia ndaluar hyrjen në vend Sali Berishës dhe familjes së tij kanë qenë standarde si për të gjitha rastet e tjera, ndërkohë ka theksuar se SHBA vijon të shohë përtej kufijve për ata që sfidojnë parimet e demokracisë.

Sekretari amerikan i Shtetit e ka udhëzuar kongresmenin që nëse kërkon më shumë informacion mund të paraqitet në Zyrën e Legjislacionit apo në Zyrën e Zëdhënësit për Çështjet Publike.