Numërimi i votave të Kolegjit Zgjedhor nga një seancë e përbashkët e Kongresit Amerikan ka konfirmuar demokratin, Joe Biden, si fituesin zyrtar të zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit.

Kongresi certifikoi mbi 270 vota elektorale të Bidenit, ndërsa 270 është minimumi i nevojshëm. Inagurimi do të mbahet më 20 janar, sipas Kushtetutës së SHBA-së.

Një seancë e të dy dhomave të Kongresit Amerikan është duke u zhvilluar.

Certifikimi i votave të Kolegjit Elektoral nga ana e Kongresit amerikan është hapi i fundit në procesin zgjedhor, para inagurimit të presidentin e zgjedhur, Joe Biden dhe nënpresidentes së zgjedhur, Kamala Harris më 20 janar.

Presidenti aktual, Donald Trump tha se “do të ketë një tranzicion të rregullt” pasi Kongresi të përfundojë numërimin e votave elektorale që vërtetojnë fitoren e Bidenit.

“Edhe pse nuk jam plotësisht dakord me rezultatin e zgjedhjeve, megjithatë do të ketë një tranzicion të rregullt në 20 janar”, tha Trump në një deklaratë të postuar në Twitter nga zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Dan Scavino.

Seanca e Kongresit vazhdoi pas rreth katër orësh trazira, pasi protestuesit e dhunshëm që mbështesin presidentin aktual të SHBA-së, Donald Trump, sulmuan ndërtesën e Kongresit duke hyrë brenda.

Garda Kombëtare është mobilizuar për t’iu ofruar mbështetje zyrtarëve federalë të zbatimit të ligjit.

Një grua që është plagosur gjatë dhunës në Kongres, ka vdekur. Policia e Uashingtonit tha se tre persona të tjerë vdiqën nga “urgjencat mjekësore”.

Kur ligjvënësit iu rikthyen seancës, qindra mbështetës të Trumpit ishin ende në rrugët e Uashingtonit, përkundër pranisë së madhe të policisë dhe shtetrrethimit të shpallur nga ora 6 e pasdites.

“Për ata që bënë kërdi në Kongresin tonë sot: Ju nuk keni fituar. Le t’i kthehemi punës”, tha nënpresidenti Mike Pence.

“Ne do ta certifikojmë fituesin e zgjedhjeve të vitit 2020”, shtoi udhëheqësi republikan i Senatit, Mitch McConnell.

Presidenti Trump e ka kundërshtuar fitoren e demokratit Biden në zgjedhjet e 3 nëntorit, 2020. Por, një sërë padish janë hedhur poshtë nga gjykatat e shteteve dhe 2 nga ajo Supreme. Trump ka bërë akuza të pabazuara për mashtrime zgjedhore.

Procedurat për mënyrën se si mbahen zgjedhjet presidenciale përshkruhen në Kushtetutën e SHBA-së, në një amendament pasues dhe në një ligj të vitit 1887.

Anëtarët e një organi politik unik, të quajtur Kolegji Zgjedhor, zgjedhin zyrtarisht presidentin, duke hedhur votat që pasqyrojnë rezultatet e certifikuara të votave të popullit në secilin shtet dhe në Distriktin e Kolumbias.

Vota e Kolegjit Zgjedhor certifikohet më pas nga Kongresi i ri, që betohet pas Vitit të Ri dhe rreth dy javë përpara inaugurimit presidencial. Dita e inaugurimit, që është 20 janari, është e përcaktuar me Amendamentin e 12-të të Kushtetutës amerikane.

Seanca tradicionalisht udhëhiqet nga zëvendësi i presidentit që është ende në detyrë – në këtë rast Mike Pence.

Sipas rregullave, nënkryetari supozohet të ketë jo më shumë se një rol ceremonial – përfshirë hapjen e zarfeve që kanë votat e Kolegjit Zgjedhor dhe shpalljen e atyre rezultateve. /rel