Konfirmohet rritja e Vala-s, merr 60 për qind të tregut

Telekomi i Kosovës, Vala, në tremujorin e tretë të këtij viti, arriti të rikthejë një pjesë të tregut që humbi përgjatë katër viteve të shkuara, nga 2011 deri në 2015, megjithëse tregu ka pësuar rënie si rrjedhojë e përdorimit masiv të të ashtuquajturave aplikacione që mundësojnë biseda falas.

Saktësisht, Telekomi i Kosovës, Vala, ka marrë 60 për qind të të gjitha të hyrave të telefonisë mobile, duke u rikonfirmuar si lider i këtij sektori në Kosovë.

Vetëm gjashtë muaj më parë, Vala, zotëronte 56 për qind të tregut.

“Telekomi i Kosovës, Vala, është lider i pakontestueshëm. Shifrat që kemi parë gjatë ditës së sotme janë inkurajuese, për të vazhduar drejt rikthimit në pozitat ku Vala ka qenë gjithnjë, për të zotëruar mbi 70 për qind të tregut. Kemi shërbimet më të mira, më cilësore dhe me çmimet më konkurruese”, tha Drejtori Menaxhues i Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa.

Sipas tij, rikthimi i Vala-s në pozitën e të qenit operator i padiskutueshëm, duhet të ndodhë për shkak të 2300 punëtorëve dhe 20 mijë qytetarëve që varen nga pagat që marrin në Telekomin e Kosovës.

Të hyrat e gjeneruara për tremujorin e tretë të këtij viti, e veçmas nga shërbimi 3G dhe 4G, janë indikatorë se Vala përditë e më shumë po fiton treg të sigurt të qytetarëve dhe bizneseve, që janë të gatshëm të konsumojnë më shumë duke përzgjedhur ofertat e dizajnuara sipas nevojave të tyre.

Kjo dëshmon se Vala vazhdon ta ketë gjithnjë e më shumë besimin e klientëve, të cilët janë duke përfituar nga ofertat dhe produktet atraktive që ka ofruar dhe do të ofrojë Vala deri në fund të këtij viti.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT