Komuna do mbështes projektin për gratë biznismene në Jug dhe Veri

 

Kryetari i Komunës Agim Bahtiri, i shoqëruar nga Drejtori i Zhvillimit Ekonomik dhe Bujqësisë, Nasuf Aliu, kanë pritur zyrtarët e organizatës joqeveritare CBM, drejtoreshën Afërdita Sylaj dhe zyrtarin Milivoje Raiqeviq, me të cilët ka biseduar rreth punës së kësaj  organizate dhe për dy projekte të reja nga Komisioni Evropian, ku implemetues do të jetë CBM.
Kryetari Bahtiri ka shprehur mirënjohjen për punën që bëjnë organizatat joqeveritare, duke shprehur gatishmërinë për mbështetje në projektet që kanë për qëllim rritjen e transparencës, hapjen e mundësive për zhvillim dhe ngritjen e zërit dhe pjesëmarrjen e qytetarëve në jetën publike.
 Drejtoresha e CBM, Sylaj, e njoftoi kryetarin me projektin e Komisionit Evropian “Përkrahje e bizneseve të reja për gratë në Veri dhe Jug të Mitrovicës”, që është fituar nga kjo organizatë, në vlerën prej 380 mijë euro, që planifikohet të implementohet në dy anët e Mitrovicës, me ç’rast krahas trajnimeve parashihen edhe grante të vogla zhvillimore në secilën anë nga 15 sosh, në shumë prej 2.500 deri në 3. 000 euro.
“Kemi fituar projektin në vlerën prej 380 mijë euro, ku do ketë trajnime për ndërmarrësit e rinj, si dhe grante të vogla në vlerën 2 mijë e 500 deri në 3 mijë euro. Në të dyja anët e Mitrovicës do të realizohen nga 15 projekte, por komunat duhet të sigurojnë shumën e mjeteve prej 10 për qind të këtij projekti”, ka thënë Sylaj.
Kryetari Bahtiri ka theksuar se ai e sheh të rëndësishëm projektin, kështu që konform mundësive buxhetore,  do të mbështes pjesën e kërkuar të mjeteve. Projektin e ka  mbështetur edhe drejtori i Zhvillimit Ekonomik, Nasuf Aliu, duke kërkuar edhe nënshkrimin e marrëveshjes së mirëkuptimit me këtë shoqatë .
Drejtoresha Sylaj njoftoi kryetarin Bahtiri edhe me projektin tjetër, po ashtu të financuar nga Komisioni Evropian, për monitorimin e punës së Kuvendit Komunal dhe disa drejtorive, ku parashihet bartja e përvojës së organizatave që kanë monitoruar deri më tani komunën.

 

- Advertisement -

MË TË FUNDIT