Komuna dha “aminin” për Xhaminë Qendore, arkitekti i BIK-ut thotë se do të ketë ndryshime

Xhamia Qendrore në Prishtinë tash e më shumë se pesë vjet është njëra nga temat kryesore, sa i përket ndërtimit në kryeqytet. Ndërtimi i objektit më të madh të kultit fetar islam, në Kosovë, është përcjellë me shumë probleme, që prej ndarjes së parcelës për të, në fillim të vitit 2012.

Ndërtimi i kësaj xhamie ende nuk është filluar, e ka mundësi që një gjë e tillë të mos bëhet edhe së paku një vjet, derisa të përfundojë projekti me ndryshime, pas dhënies së kushteve nga Komuna e Prishtinës, shkruan Ndërtimi.info

Komuna e Prishtinës nuk kishte dhënë lejen e ndërtimit për këtë xhami, e bashkë me këtë leje problem kishte dal edhe projekti i objektit, i realizuar nga Bashkësia Islame e Kosovës (BIK). Projekti i prezantuar se si do të duket xhamia, ishte kundërshtuar pasi nuk përputhej më Planin Rregullues të lagjes “Dardania”.

E, ditë më parë Komuna e Prishtinës ia ka dorëzuar BIK-ut kushtet për marrjen e lejes për ndërtimin e Xhamisë Qendrore. Në projektin arkitektonik të xhamisë, të prezantuar në korrik të këtij viti, njëra nga minaret e xhamisë shkelte vijën ndërtimore.

Por, me kushtet e dhëna nga Komuna e Prishtinës, kjo shkelje do të evitohet. Këtë, për Ndërtimi.info e ka bërë të ditur arkitekti i BIK-ut, Esat Ramadani, i cili në parim nuk e shihte të arsyeshme të flet “kot” për kushtet ndërtimore të lëshuara nga Komuna e Prishtinës.

“Ka dalë jashtë, mirëpo tash është brenda sepse nuk lejohet me dal. Kushtet janë dhënë ashtu siç e kërkon Plani Zhvillimor”, ka thënë Ramadani.

Pa dashur që të japë ndonjë detaj më shumë rreth punës që po bëhet, pas marrjes së kushteve nga komuna, Ramadani ka thënë se do të bëhen ndryshimet që janë kërkuar.

“Gjithçka që kërkohet të ndryshohet, duhet të ndryshohet  sipas projektit që e ka kërkuar Komuna. Kushtet me Ligjin e Ndërtimit vlejnë një vit, me mundësi vazhdimi. Ne jemi të interesuar që sa më shpejtë  t’i dorëzojmë kushtet, mirëpo projekti është i komplikuar dhe duhet një kohë e gjatë derisa të përgatitet”, ka shtuar ai.

Duke theksuar se projekti është mjaft i komplikuar, Ramadani ka thënë se pas përfundimit gjithçka do të bëhet publike.

Për ndërtimin e  kësaj xhamie, Komuna e Prishtinës ka ndarë një hapësirë prej 85 ari, afër Postës së Madhe./ndertimi.info/