Koha kur nuk ishte mirë të ishe i ditur dhe i guximshëm: Plani morbid i Ramiz Alisë për të kontrolluar botimet, artet dhe mediat

Fushata e ndërmarrë në fund të vitit 1973 për të forcuar kontrollin në botime, interpretime e krijimtari artistike të çdo fushe, iniciuar nga kupola më e lartë e regjimit komunist dhe e firmosur nga Ramiz Alia, zbulohet përmes një dokumenti sekret publikuar për herë të parë në Shqiptarja.com.

Pjesa e parë e dokumentit jep orientime të detajuara për një kontroll të ashpër në fushën e botimeve, duke urdhëruar që të mos dalë asnjë libër, broshurë a përmbledhje pa u analizuar më parë deri në imtësitë më të vogla.

Po ashtu, jepte orientime për komisionet që do të ngriheshin për kontrollin e një varg aksionesh kulturore-artistike të rëndësishme kombëtare, si ekspozita kombëtare, festivale kombëtare etj. Ajo fliste edhe për gjithë prodhimet e Kinostudios, shqyrtimi i të cilave niste nga planet e reja vjetore për xhirime, tek kontrolli mbi skenarët, dhe mbi produktin final, sikurse edhe për të gjithë filmat e huaj që përzgjidheshin për tregun shqiptar, ndërhyrjet dhe përshtatjet sipas oreksit të regjimit që bëheshin në disa prej tyre, dhe kontrollit final para se t’i shfaqnin nëpër kinema.

Në pjesën e parë të këtij dokumenti u publikuan edhe orientimet për kontrollin që do të ushtrohej në krijimet artistike të teatrit të Operës dhe Baletit si dhe strukturat që do ta kryenin këtë kontroll.

Ndërkaq, në pjesën e dytë të këtij dokumenti që mban datën 12 dhjetor 1973, jepen direktivat e Komitetit Qendror për kontrollin që duhej ushtruar në Radio Televizionin Shqiptar, si një prej levave kryesore përmes të cilit bëhej propaganda. Orientimet për një kontroll të rreptë të RTSh-së jepeshin për të gjithë gamën e gjerë të programacioneve të tij, të prodhimit të filmave e dokumentarëve, muzikës, etj.

Pjesa e dytë e këtij dokumenti sjell edhe urdhrat dhe orientimet për të kontrolluar gjithë skenat teatrore, galeritë e artëve pamore dhe shtypin. Më poshtë e sjellim të plotë pjesën e dytë të këtij dokumenti sekret.

Dokumenti, pjesa e parë

PARTIA E PUNËS E SHQIPËRISË

KOMITETI QENDROR

Sektori i Arsim-Kulturës

Tiranë, më 11.12.1973

Nr. 4395 Prot.

Sekret

Lënda: Orientime për forcimin e kontrollit paraprak për krijimtarinë letrare-artistike që botohet, ekzekutohet, ekspozohet.

KOMITETIT TË PARTISË TË RRETHIT

Bashkëngjitur ju dërgojmë orientimet e përbashkëta të Komitetit Qendror të Partisë dhe të Këshillit të Ministrave, për forcimin e kontrollit paraprak për krijimtarinë letrare-artistike që botohet, ekzekutohet, ekspozohet.

Për përmbajtjen e këtyre orientimeve të vihen në dijeni organizatat bazë të partisë të interesuara, si dhe kryesitë e organizatave të masave në rreth.

Nga ana e aparatit të Këshillit të Ministrave këto orientime u janë dërguar edhe komiteteve ekzekutive të rrethit dhe Ministrisë së Arsimit e Kulturës.

SEKRETARI I KOMITETIT QENDROR TË PPSH

RAMIZ ALIA

(firma, vula)

ORIENTIME PËR FORCIMIN E KONTROLLIT PARAPRAK PËR KRIJIMTARINË LETRARE-ARTISTIKE QË BOTOHET, EKZEKUTOHET, EKSPOZOHET

Lufta kundër shfaqjeve të huaja në letërsi e arte dhe qëndrimeve liberale ndaj tyre, kërkon marrjen e masave edhe për forcimin e kontrollit paraprak të krijimtarisë në këto fusha.

Deri tani, për mjaft çështje, ose nuk ka pasur kritere të përcaktuara qartë për mënyrën e kontrollit të krijimtarisë, ose rregullat e vendosura nuk janë zbatuar me rigorozitet, prandaj janë bërë dhe lëshime.

Format kolegjiale (si komisionet, këshillat artistike, kolegjiumet), e në mjaft raste edhe instancat e ndryshme shtetërore si seksionet e arsimit e të kulturës pranë komiteteve ekzekutive, nuk i kanë ushtruar si duhet kompetencat e tyre. Gjithashtu shpesh është dobësuar roli drejtues e kontrollues i organizatave bazë të partisë në institucionet kulturore-artistike dhe disa herë ato janë postuar.

Me qëllim që të zbatohet me rigorozitet direktivat e Partisë në fushën e kulturës e të artit dhe të mos lejohen gabime në përmbajtje të veprave letrare e artistike, është e nevojshme të forcohet udhëheqja ideologjike dhe përgjegjësia e komiteteve të partisë dhe e organizatave bazë në institucionet kulturore-artistike si dhe kontrolli paraprak shtetëror mbi krijimtarinë.

Për veprat letrare-artistike që botohen, ekzekutohen, ekspozohen, para se të dalin në publik, do të zbatohen këto forma kontrolli:

I. – Për botimet:

Plani tematik vjetor i botimeve, pasi shqyrtohet nga kolektivi, kolegjiumi dhe organizata bazë e shtëpive botuese, aprovohet nga Ministria e Arsimit dhe e Kulturës, në konsultim me aparatin e Komitetit Qendror dhe të Këshillit të Ministrave. Aprovimin për çdo vepër për botim e jep redaktori përkatës dhe shefi i redaksisë.

Veprat, për të cilat recensentët ose redaksia kanë shqetësime ideore i aprovon drejtori ose zëvendësdrejtori i shtëpisë botuese. Disa vepra, nga më të rëndësishmet, shikohen edhe nga vetë drejtori ose zëvendësdrejtori. Çdo vepër, para se të redaktohet u jepet për recension njerëzve me formim të mirë ideoestetik (shkrimtarë, kritikë, si edhe punonjës të tjerë që kanë përgatitjen e nevojshme).

Recensentët i cakton redaksia. Kur recensentët paraqesin ndonjë shqetësim ideoartistik për veprën (qoftë edhe njëri prej tyre) diskutohet në mbledhje të redaksisë, ku mund të ftohet edhe autori. Kur ka divergjenca dhe nuk arrihet në mirëkuptim, atëherë vepra shqyrtohet në mbledhjen e kolegjiumit të shtëpisë botuese. Për këtë vihet në dijeni edhe Ministria e Arsimit dhe e Kulturës.

Edhe në shtypshkronjat ku botohet letërsia artistike ushtrohet në mënyrë sistematike kontrolli punëtor mbi të, duke gjetur format përkatëse, duke krijuar komisione apo grupe punëtorësh, të cilët, herë pas here, diskutojnë mbi vepra të ndryshme dhe bëjnë vërejtjet e tyre mbi to gjer në shfaqjen e mendimit që të botohet apo të mos botohet vepra.

Veprat letrare-artistike nga krijimtaria jonë kombëtare, që do të përkthehen në gjuhë të huaja aprovohen nga Ministria e Arsimit dhe e Kulturës, në konsultim edhe me aparatin e Komitetit Qendror e të Këshillit të Ministrave.

Ndalohet dhënia e veprave dorëshkrim të huajve, pa marrë pëlqimin e organeve kompetente.

II. – Për të gjitha aksionet kulturore-artistike të rëndësishme kombëtare, si ekspozita kombëtare, festivale kombëtare etj., Ministria e Arsimit dhe e Kulturës cakton komisione të posaçme. Në këto komisione bëjnë pjesë përfaqësues nga tërë institucionet e interesuara.

Këto komisione ndjekin e kontrollojnë tërë përmbajtjen e aktivitetit dhe japin aprovimin për publikimin e programeve, në konsultim edhe me aparatin e Komitetit Qendror të Partisë dhe aparatin e Këshillit të Ministrave.

III. – Për Kinostudion:

Plani tematik vjetor, pasi shqyrtohet në kolektivin krijues, në këshillin artistik dhe në organizatën bazë të partisë, aprovohet përfundimisht nga Ministria e Arsimit dhe e Kulturës.

Skenarët e filmit artistik, pasi shqyrtohen nga redaksia, diskutohen në këshillin artistik dhe aprovohen nga drejtoria e Kinostudios, në konsultim me Ministrinë e Arsimit dhe të Kulturës.

Skenarët e filmave dokumentarë, pasi i përgatit redaktori, i kontrollon shefi i redaksisë. Aprovimin përfundimtar për fillimin e xhirimit e jep nëndrejtori artistik.

Aprovimi i të gjithë filmave artistikë si dhe i dokumentarëve me rëndësi të veçantë (për figura të shquara, me raste jubilesh etj.) bëhet nga këshilli artistik e drejtoria e Kinostudios, por nuk vihen në qarkullim pa pëlqimin e Ministrisë së Arsimit dhe të Kulturës. Kjo do të bëhet në konsultim dhe me aparatin e Komitetit Qendror të Partisë dhe aparatin e Këshillit të Ministrave. Aprovimin e filmave dokumentarë e bën redaksia, por ata nuk hidhen në qarkullim pa aprovimin e Drejtorisë së Kinostudios.

Filmat e huaj i shqyrton dhe i aprovon drejtoria, nëpërmjet komisionit të vizionimit të filmave. Komisioni jep porosi konkrete për ndryshimet e nevojshme që do t’i bëhen filmit para se ai të hidhet në qarkullim. Këto ndryshime i realizon grupi i punës që përgatit filmin për xhirim. Shkalla e realizimit të tyre kontrollohet nga kryetari i komisionit të vizionimit të filmave.

Filmat artistikë dhe dokumentarë që dërgohen jashtë shtetit, mbi bazën e propozimit të drejtorisë, aprovohen nga Ministria e Arsimit dhe e Kulturës.

IV. – Teatri i Operës dhe Baletit:

Planin tematik vjetor, pasi e shqyrton kolektivi krijues, këshilli artistik dhe organizata bazë e partisë, e aprovon përfundimisht Ministria e Arsimit dhe e Kulturës.

Libretet e operave, operetave e baleteve, pasi të shqyrtohen dhe të aprovohen nga këshilli artistik dhe drejtoria, i aprovon Ministria e Arsimit dhe e Kulturës.

Aprovimi i operave, operetave, baleteve dhe i koncerteve të jashtëzakonshme e jubilare bëhen nga këshilli artistik e drejtoria e Teatrit të Operës dhe Baletit, por nuk shfaqen pa pëlqimin e Ministrisë së Arsimit dhe të Kulturës.

Premierat e Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe të Valleve Popullore i aprovon këshilli artistik dhe drejtoria e Teatrit.

Programet e trupave artistike, profesioniste ose amatore që shkojnë jashtë shtetit, aprovohen nga Ministria e Arsimit dhe e Kulturës në konsultim edhe me aparatin e Komitetit Qendror të Partisë dhe të Këshillit të Ministrave.

V. – Për Radio-Televizionin:

Plani tematik vjetor i programeve letraro-artistike diskutohet në kolektivat përkatëse, në kolegjiumet dhe organizatat bazë të partisë.

1. – Emisionet e folura:

Të gjitha emisionet e folura, para se të transmetohen, përgatiten nga redaktori, sipas kritereve të njohura, kontrollohen nga përgjegjësi i redaksisë, por aprovimin përfundimtar e jep zëvendësdrejtori ose drejtori i drejtorisë përkatëse.

Redaksitë e programacioneve të drejtorive përkatëse, përpara se të përgatisin emisionet për transmetim, pranojnë vetëm ato emisione që kanë kaluar në kontroll, sipas kritereve të përcaktuara në këtë pikë.

2. – Emisionet letraro-artistike:

Emisionet: teatri në mikrofon, teatri i fëmijëve, estrada në mikrofon, heroizmi i popullit tonë në shekuj, fjala artistike në mikrofon, faqe nga libri, emisionet humoristike e të tjera të këtij karakteri, pasi përgatiten nga redaktori ose regjisori, kontrollohen nga përgjegjësi i redaksisë, por aprovimin për transmetim e jep zëvendësdrejtori ose drejtori i drejtorisë përkatëse.

Ky kontroll ushtrohet si për ato emisione që përgatit vetë radioja, ashtu dhe për ato që përgatiten nga teatrot apo estradat e rretheve, pavarësisht nga kontrolli që mund të jetë bërë në këto rrethe nga organet kompetente.

Në Televizion ushtrohet i njëjti kontroll për të gjitha emisionet analoge me ato të Radios si dhe për emisionet e tjera të kësaj kategorie, siç janë koncertet me muzikë të lehtë, koncertet variete, konkurset letraro-artistike etj.

3. – Filmat:

Për filmat që porositen nga firmat e huaja për programet e Televizionit, bëhet studimi i përmbajtjes në redaksinë përkatëse dhe para se të porositen, merret aprovimi i zëvendësdrejtorit dhe drejtorit të Televizionit; lista i kalohet për shqyrtim përfundimtar edhe drejtorit të përgjithshëm.

Para se të përfshihen në programet e transmetimit të Televizionit, filmat që importohen nga jashtë kontrollohen nga drejtoria nëpërmjet një komisioni të caktuar nga drejtori i Televizionit, në të cilin duhet të bëjnë pjesë, veç të tjerëve, dhe përgjegjësi i redaksisë së përpunimit të filmit, përgjegjësi i redaksisë së kulturës, drejtori, zëvendësdrejtori dhe udhëheqësi artistik i Televizionit, një përfaqësues i Kinostudios dhe persona të tjerë kompetentë për këtë problem.

Komisioni jep mendime konkrete edhe për pjesët e veçanta të cilat duhet t’i hiqen filmit para se ai të shfaqet.

Në bazë të vërejtjeve të komisionit, redaksia bën shkurtimet e nevojshme të pjesëve me të meta ideore. Aprovimin përfundimtar për të transmetuar filmin e bën drejtori ose zëvendësdrejtori i tij i Televizionit.

Kur shihet e nevojshme filmat të shikohen edhe nga drejtori i përgjithshëm.

4. – Krijimtaria muzikore:

Të gjitha veprat muzikore që futen në programet e Radios kontrollohen nga një komision i përbërë nga zëvendësdrejtori i Drejtorisë së Radios së Brendshme, përgjegjësi i redaksisë së krijimtarisë muzikore, dirigjentët e orkestrës dhe kompozitorë të brendshëm dhe të jashtëm.

Për këngët e anketës muzikore të muajit, pasi përgatiten nga redaksia e krijimtarisë muzikore, pëlqimin për transmetim e jep zëvendësdrejtori i Drejtorisë së Radios së Brendshme e në rast nevoje edhe drejtori.

Muzika e huaj që futet për transmetim në fonotekën e Radios kontrollohet nga një komision i përbërë nga drejtori dhe zëvendësdrejtori i Radios së Brendshme, redaktori përkatës, përgjegjësi i redaksisë së programeve muzikore, përgjegjësi i redaksisë së krijimtarisë muzikore e shokë të tjerë kompetentë për këtë çështje. Në rast nevoje merret dhe aprovimi i drejtorit të përgjithshëm.

Edhe në programet e Televizionit nuk përfshihet asnjë emision, që nuk është aprovuar nga ana e këtij komisioni.

Për Festivalin e Këngës në Radio-Televizion ngrihet një komision, i cili përbëhet nga shokë me përgjegjësi dhe specialistë të këtij institucioni, përfaqësues të Ministrisë së Arsimit e Kulturës, të Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve e shokë të tjerë të jashtëm. Kryetar i këtij komisioni është drejtori i përgjithshëm i Radio-Televizionit.

Aprovimi për të dhënë në publik e për të transmetuar në Radio-Televizion programet e këtij festivali jepet në konsultim edhe me aparatin e Komitetit Qendror të Partisë dhe të Këshillit të Ministrave.

VI. – Për teatrot:

Repertori tematik vjetor, pasi diskutohet në kolektivin e artistëve, në këshillin artistik dhe në organizatën bazë, i paraqitet për aprovim Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të Rrethit. Pjesët që do të vihen në skenë bëhen objekt diskutimi në kolektivat teatrale.

Pjesët e reja nga dramaturgjia jonë dhe e huaj, pasi të shqyrtohen nga kolektivi i artistëve e këshilli artistik aprovohen nga Komiteti Ekzekutiv i Rrethit.

Për rivëniet në skenë të pjesëve, pasi vendos kolektivi krijues dhe këshilli artistik i teatrit, merret edhe pëlqimi i Komitetit Ekzekutiv të Rrethit.

Të gjitha premiera shqyrtohen nga këshilli artistik e drejtoria, por para se të jepen në publik merret pëlqimi i Komitetit Ekzekutiv të Rrethit, i cili konsultohet edhe me Komitetin e Partisë.

VII. – Për estradat:

Repertori tematik vjetor pasi diskutohet nga kolektivat e artistëve, këshillat artistike dhe organizatat bazë të partisë, aprovohet nga Komiteti Ekzekutiv i Rrethit. Materialet e tyre për çdo premierë i aprovon këshilli artistik.

Të gjitha shfaqjet e reja (premierat), para se të jepen për publikun, diskutohen dhe aprovohen nga këshillat artistike dhe drejtoritë përkatëse, por aprovimin e fundit për t’u shfaqur ose jo e jep Komiteti Ekzekutiv i Rrethit. Kjo bëhet në konsultim me aparatin e Komitetit të Partisë.

VIII. – Ekspozitat e arteve figurative dhe simbolet përkujtimore:

Ekspozitat kombëtare të arteve figurative dhe monumentet me rëndësi të veçantë nga cilado organizatë ose institucion që i organizon, aprovohen nga një komision i veçantë, që ngrihet nga Ministria e Arsimit dhe e Kulturës. Aprovimi jepet në konsultim edhe me aparatin e Komitetit Qendror të Partisë dhe të Këshillit të Ministrave.

Ekspozitat e arteve figurative që organizohen në rrethe si edhe ekspozitat personale aprovohen nga Komitetet Ekzekutive të Rretheve pasi merret edhe pëlqimi i aparatit të Komitetit të Partisë.

Të gjitha ekspozitat e arteve figurative që dërgohen jashtë shtetit aprovohen nga Ministria e Arsimit dhe e Kulturës në konsultim edhe me aparatin e Komitetit Qendror të Partisë dhe të Këshillit të Ministrave.

IX. – Për shtypin e përditshëm periodik:

Materialet më të rëndësishme të krijimtarisë letrare e artistike, që botohen në organet e ndryshme, i aprovon kolegjiumi i redaksisë.

Zbatimi i këtyre orientimeve, krahas përcaktimin e vënies në jetë në mënyrë rigoroze e pa asnjë lëshim të nomenklaturave të mësipërme, kërkon edhe forcimin e gjithanshëm të punës drejtuese dhe kontrolluese të organeve të interesuara shtetërore e të partisë.

1. Në të gjitha institucionet artistike e kulturore rëndësi të dorës së parë ka detyra dhe e drejta e organizatës bazë të partisë së institucionit për të ushtruar plotësisht rolin udhëheqës e kontrollues mbi tërë veprimtarinë e institucionit, ashtu si dhe në të gjitha ndërmarrjet e institucionet e tjera.

Për këtë, organizata bazë e partisë përcakton edhe format e realizimit praktik të udhëheqjes e të kontrollit mbi të gjithë veprimtarinë e institucionit përkatës, shqyrton sa herë që e sheh të nevojshme vepra letrare e artistike, premiera të ndryshme etj. Në mënyrë të veçantë ajo ndalet në diskutimin e veprave me shqetësime ideore.

Duke ushtruar rolin e saj drejtues e kontrollues organizata bazë e partisë ka parasysh të mos dublojë e zëvendësojë organet e interesuara e përgjegjëse për aprovimin e veprave letrare artistike siç janë këshillat artistike, kolegjiumet e ndryshme e sidomos drejtoritë, të mos u marrë atyre kompetencat e nomenklaturat që kanë, por t’i ndihmojë këto organizma, t’u kërkojë llogari për punën që bëjnë, t’i udhëheqë e t’i kontrollojë.

2. Ministria e Arsimit dhe e Kulturës si dhe organet e saj në bazë duhet të ushtrojnë në mënyrë më sistematike kontrollin mbi gjithë veprimtarinë e institucioneve kulturore e artistike.

Për këtë, përveç përgjegjësisë që mbajnë komitetet ekzekutive dhe drejtuesit e institucioneve kulturore-artistike në rrethe, ajo duhet të ketë gjithmonë parasysh se mban përgjegjësi të plotë për gjithë veprimtarinë artistike e kulturore, si për atë që e aprovon vetë drejtpërsëdrejti, ashtu edhe për atë që e aprovojnë institucionet e saj vartëse. Prandaj, ajo duhet t’i kushtojë kujdes të veçantë përmbajtjes së veprave që do të botohen, të dramave e të skenarëve të filmave që do të vihen në skenë e do të ekranizohen, krijimeve muzikore që do të ekzekutohen etj.

3. Një kujdes i vazhdueshëm duhet t’i kushtohet diskutimit të problemeve që dalin nga krijimtaria letraro-artistike, duke futur këtu edhe atë që konsiderohet e papërshtatshme për t’u botuar, ekspozuar ose ekzekutuar.

Sidomos për këtë lloj krijimtarie të fundit, të gjitha institucionet e interesuara, redaksitë e ndryshme etj., herë pas here bëjnë studime për problemet që dalin; organizojnë diskutime e analiza, sipas rëndësisë së problemit, në redaksi, kolegjium, organizatën bazë të partisë si dhe në kolektiv. Për konkluzionet e këtyre, sipas rastit e problemeve, informohen organet e interesuara shtetërore e të partisë në rreth e në qendër, Ministria e Arsimit dhe e Kulturës, aparati i Komitetit Qendror të Partisë dhe i Këshillit të Ministrave.

4. Përgjegjësi të veçantë mbajnë personat drejtpërsëdrejti përgjegjës, që lejojnë të shtypen, të vihen në skenë ose në ekran etj., vepra që konsiderohen të papërshtatshme për brendinë e tyre të shtrembër. Në këto raste, kundrejt këtyre, krahas përgjegjësisë që kanë para partisë e shtetit, të zbatohen dispozitat në fuqi edhe për zhdëmtim material.

5. Krahas kontrollit të partisë e të shtetit duhet të forcohet edhe kontrolli punëtor e i masave mbi krijimtarinë letrare e artistike, si nga forcat që gjenden brenda vetë institucioneve përkatëse ashtu dhe nga ato jashtë tyre.

Në bazë të këtyre orientimeve të përgjithshme, institucionet përkatëse e të interesuara duhet të bëjnë rregulloret e brendshme, të cilat duhet të aprovohen nga organet prej të cilave varen.

ZËVENDËSKRYETARI I KËSHILLIT TË MINISTRAVE

XHAFER SPAHIU

(firma, vula)

SEKRETARI I KOMITETIT QENDROR TË PPSH

RAMIZ ALIA

(firma, vula)

Tiranë, më 6 dhjetor 1973

- Advertisement -

MË TË FUNDIT