Kocijançiç nuk shpjegon ndërtimin e murit matanë urës së Ibrit

Zëdhënësja e Frederica Mogherinit, përfaqësueses së lartë të Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme, Maja Kocijançiç në një komunikim për KTV ka tentuar të japë përgjigje për murin e ndërtuar matanë urës së Ibrit në drejtim të veriut.

Ajo nuk ka sqaruar situatën dhe ka përsëritur atë që është në marrëveshje: Renovimin e urës dhe lëshimin për qarkullim më 20 janar, transmeton Koha.net.

“Marrëveshja për urën në Mitrovicë konsiston në renovimin e vet urës së Mitrovicës, me fonde të BE-së, dhe pedestratimin (sq. kthimi i një rruge në shëtitore) të rrugës ‘Mbreti Peter’. Së bashku, ura dhe rruga, do të rihapen më 20 janar 2017, sipas marrëveshjes”, ka thënë Kocijançiç.

Ajo më tej ka thënë se janë në kontakt me akterët kryesorë të këtij procesi për të siguruar një dizajn të renovimit, të pranueshëm për të gjithë.

“Ne jemi në kontakt të afërt me të gjithë akterët për të siguruar një dizajn të kënaqshëm për të gjithë, për urën dhe rrugën, pra që të gjithë qytetarët të përfitojnë”, ka përfunduar Kocijançiç.