Qendra Rajonale e KMDLNJ në Mitrovicë, duke parë dhe përcjell me shumë vëmendje e shqetësim eksodin e këtyre ditëve, kërkon nga udhëheqja më e lartë e vendit dhe ato komunale, që së paku të bëjnë përpjekje që të ndalin këtë fenomen të dëmshëm për vendin dhe kombin në tërësi, duke ua shpjeguar qytetarëve se ky është synim i kamotshëm i Serbisë, me qëllim të spastrimit të Kosovës nga shqiptarët dhe dëmtimin e substancës kombëtare.
QR e KMDLNj është dëshmitare e nxitjes së kësaj dukurie tejet të dëmshme nga matrapazët e ndryshëm shqiptarë, serbë, rom e të tjerë, që janë bashkuar për të realizuar qëllimin e Serbisë, duke i bartur shqiptarët me autobusë e automjete të ndryshme me regjistrim të Serbisë, por edhe të Kosovës në drejtim të Hungarisë, përmes Republikës së Serbisë.
Vlen të ceket se një pjesë e madhe e atyre që janë duke kontribuar në spastrimin etnik të Kosovës, janë po ata shqiptarohiq, bashkëpunëtorë e vegla qorre të Serbisë, të cilët edhe në vitet e 90-ta, patën bartur gra e fëmijë (familje shqiptare) për në perëndim, madje duke i lënë shumë sish rrugëve e maleve të Serbisë, Çekisë, Sllovakisë etj., me ç’rast një numër jo i vogël edhe kanë humbur pa gjurmë, ndërsa që shumë femra shqiptare ishin dhunuar nga këta keqbërës.
Për disa raste të këtilla, KMDLNJ, Qendra Rajonale në Mitrovicë, ka numra dhe emra të saktë, si të viktimave, ashtu edhe kryesve të akteve kriminale, që po mbesin të pandëshkuara.
QR e KMDLNJ në Mitrovicë, edhe njëherë apelon tek qytetarët që të mos e marrin këtë rrugë dhe mos t’i kontribuojnë qëllimit të kahershëm të Serbisë për spastrimin etnik të Kosovës, ndërkohë që nga institucionet më të lartë të vendit kërkon që të bëjnë çmos që të ndalin këtë fenomen, si dhe të identifikojnë matrapazët dhe keqbërësit që po e nxisin atë dhe po i dëmtojnë qytetarët.
- Advertisement -