Klinika Gjinekologjike e ‘lodhët’

Të gjitha qeveritë e Kosovës që nga paslufta kanë dështuar që të krijojnë një zinxhir instancash që do të adresonte ankesat e grave për trajtim të pa dinjitetshëm, neglizhencë e ofendim në Klinikën e Gjinekologjisë së QKUK-së. Institucionet e shëndetësisë nuk janë alarmuar asnjëherë nga raportimet mediale për mënyrën sesi trajtohen gratë në këtë klinikë.
MSh-ja në të gjitha mandatet është arsyetuar se është duke ndërtuar infrastrukturën ligjore. Menaxherët e QKUK-së po ashtu nuk janë përpjekur fare që ta ndryshojnë këtë praktikë. Ndërsa mjekët dhe infermierët e Gjinekologjisë asnjëherë nuk janë distancuar nga veprimet e pahijshme dhe joprofesionale të kolegëve të tyre. Derisa pacienti kurrë nuk ka arritur të dalë në radhë të parë, ankesat kanë vazhduar të shtohen, raporton Koha Ditore.
Ndonëse ekziston një hierarki e komisioneve të cilat janë të caktuara për të shqyrtuar ankesat, rezultatet deri më tash nuk janë parë. Nevojën për trajtim më të dinjitetshëm të grave e ka konsideruar domosdoshmëri edhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.
Mungesa e një adrese e cila seriozisht do t’i trajtonte ankesat e ka degraduar raportin mjek-pacient. Nevojën për të qenë pacienti në qendër të sistemit shëndetësor dhe që të rritet llogaridhënia e stafit mjekësor e sheh si të domosdoshëm edhe drejtori i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Kosovë (OBSh), Skënder Syla.
- Advertisement -

MË TË FUNDIT