Të premten në orën 14:30 pritet të mbahet seanca ku do të merret vendimi për ish-deputetin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Gani Gecin, në rastin ku po akuzohet për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit.

Geci ka thënë se nuk e di çfarë pret nga kjo seancë. Ai ka thënë se vazhdon të ketë qëndrimin e njëjte ashtu siç sipas tij e ka konstatuar edhe Prokurori i rastit që akti është kryer në mbrojtjen e nevojshme.

“Nuk e di çfarë më prit unë i kam dhënë qëndrimet e mia rasti ka ndodh në mbrojtje të nevojshme ashtu siç edhe e ka konstatuar edhe Prokurori i rastit. Po pres që në seancën e orës 14:30 të merret vendimi përfundimtar”, ka thënë Geci për Infokus.

Geci ka pohuar përsëri se rastin ka qenë “mbrojtje e nevojshme’ dhe pret që edhe vendimi për të të merret në këtë formë.
Kujtojmë se Gjykata Themelore në Mitrovicë, me 3 qershor 2016, e kishte dënuar Gani Gecin me 4 vjet e 6 muaj burgim për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit.

Ai akuzohet se vrasjen e kishte kryer në kafiterinë “N’Qosh”, në qendër të Skenderajt, më 4 gusht të vitit 2014.

Geci e kishte pranuar se e ka kryer këtë vrasje, duke thënë se këtë veprim e kishte bërë në vetëmbrojtje, pasi kishte deklaruar se ka qenë i rrezikuar të vritej.