Analisti politik, Imer Mushkolaj, në një prononcim për Gazetën Blic ka folur për zvarritjen e marrëveshjes së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe të Lëvizjes Vetëvendosje (VV).

Ai ka thënë se marrëveshja nuk është dashur të zvarritet kaq shumë sepse që të dyja partitë janë dakorduar për një koalicion, por sipas tij LDK-ja është ajo e cila është duke e zvarritur gjithë këtë proces sepse është mësuar të ketë bashkëpunim me PDK-në, ndërsa përshtatja e tyre për të qeverisur me VV-në është e vështirë.

“Nuk ish dashur të zvarriten bisedimet sepse nuk ka arsye, pavarësisht rezultateve të zgjedhjeve tashmë në parim dy partitë janë pajtuar të arrijnë marrëveshje për koalicion. E shoh problematike LDK-në në këtë rast sepse LDK-ja në fakt vazhdimisht ka qenë në pushtet me PDK-në kryesisht dhe kjo e bën të vështirë që të përshtatet me qasjen që mund të ketë VV-ja në qeverisjen e re”, tha ai.

Mushkolaj tha se LDK-ja nuk ka zgjedhje tjetër pos të bëj koalicion me VV-në, ose në rastin e kundërt ky do ishte gabimi më i madh i LDK-së që do të bënte nëse do ta dërgonte përsëri në zgjedhje vendin.

“Unë kam përshtypje dhe është logjike që LDK-ja të synoj vazhdimësinë e sistemit, ndërsa VV-ja të synoj një lloj prerje të këtij sistemi dhe këtu mund të ketë përplasje, unë pres që edhe pas marrëveshjes të kenë mosmarrëveshje dy partitë për çështje të ndryshme por edhe rezultati zgjedhor është i tillë që LDK-ja nuk ka zgjidhej tjetër por ta pranoj marrëveshjen me VV-në sepse një opsion tjetër i shkuarjes në zgjedhje do ishte goditje për LDK-në dhe fitore më e thellë të VV-së, LDK-ja këtë e di mirë dhe nuk besoj se do bëj gabime në hapa duke kushtëzuar marrëveshjen me çka do qoftë marrëveshjen me VV-në, marrëveshja LDK-VV është në interes jashtëzakonisht të vetë LDK-së pavarësisht qasjes së tyre që mund ta kenë në publik”, shton ai për GazetënBlic.

Ndërsa, ai tha se pritja e certifikimit të rezultateve nga ana e KQZ-së për të lidhur një marrëveshje LDK-VV është arsyetim i kotë.

“Është arsyetim kotë, e kuptoj logjikën që duhet të jetë certifikimi por kjo nuk e pengon asnjërën nga partitë të negociojnë dhe ta arrijnë marrëveshjen, d.m.th. janë të gatshme në ndarjen e pozitave në koalicion ose në integrimin e dy programeve partiake e sidomos atyre ekonomike e më pas kur të certifikohen zgjedhjet  thjeshtë të mos ketë më probleme të tilla, është e panevojshme zvarritja e marrëveshjes deri tani”, tha Mushkolaj.