Kinë, bankomati i parë me teknologjinë e njohjes së fytyrës

 

Një kompani teknologjike kineze ka krijuar ATM-ën e parë në botë e cila përdor teknologjinë e njohjes së fytyrës. Përdoruesit do të mund të marrin para nga llogaritë e tyre bankare vetëm nëse skanimi i fytyrës së tyre lidhet me të dhënat e ruajtura në kartat e tyre bankare.

Bankomati është krijuar nga Universiteti Tsinghua dhe kompania teknologjike Tzekwan. Për momentin janë krijuar vetëm disa njësi të kësaj pajisjeje, megjithatë kompania Tzekwan është shprehur se do të pranojnë së shpejti porositje për këtë pajisje.

Bankomati do të jetë i pajisur me një kamerë, e cila skanon fytyrën e përdoruesve dhe e krahason atë me imazhet e ruajtura, duke u bazuar tek veçoritë biologjike si distanca mes syve, hundës dhe gojës. Ndryshimi i ngjyrës së flokëve apo vendosja e syzeve nuk do të ndikojë tek skanimi.

Sipas kompanisë Tzekwan, përveç njohjes së fytyrës, këto ATM të reja do të ndihmojnë edhe në luftën kundër krimeve financiare, duke ofruar veçori të tjera si regjistrimi i numrit serial për çdo depozitë të parave që bëhet në bankë. Kështu, nëse dikush do të përpiqet të depozitojë fatura të falsifikuara, do të identifikohet menjëherë. /krokodili/

- Advertisement -

MË TË FUNDIT