Këto janë shqetësimet e BE-së, që po e shtyjnë liberalizimin e vizave për Kosovën

Kryeministri Isa Mustafa, presidenti Hashim Thaçi dhe ministri Bekim Çollaku ishin shprehur të bindur se këtë verë qytetarët e Kosovës do të lëviznin pa viza në shtetet e BE-së. Mirëpo, shpresat se do të ndodhë një gjë e tillë janë shuar.

Kjo për shkak se vendet e BE-së janë duke hezituar të marrin vendim për t’ju mundësuar kosovarëve, turqve, gjeorgjianëve e ukrainasve të lëvizin pa viza në Zonën Shengen.

Zyrtarë ndërkombëtar i kanë thënë Gazetës Express se vendimi për liberalizim do të merret tek në muajin dhjetor eventualisht në janar të vitit të ardhshëm. Deri atëherë qytetarët e Kosovës do të duhet të presin para ambasadave për të marrë vizë udhëtimi në vendet e BE-së.

“Në fund të verës do të ketë edhe një ekip tjetër të BE-së në Kosovë për të parë nëse Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret. Pastaj do të pasojë vendimmarrja”, ka treguar ai.

Sidoqoftë, ky zyrtar i BE-së ka treguar se po frikësohen fluksit të madh të qytetarëve nëse ndodh liberalizimi. Prej Kosovës, sipas tij, po kërkohet garanci se nuk do të lëshojnë vendin 100 mijë kosovarë. Po kërkohet edhe luftimi i korrupsionit në nivel qeveritar.

“Po kërkohen emra konkret të zyrtarëve qeveritar që kanë qenë të përfshirë në afera korruptive”, ka shtuar ai.

Zyrtarët nivelit të dytë në Qeverinë e Kosovës e kanë pranuar se liberalizimi i vizave nuk do të ndodhë këtë verë. Zëvendësministri i Integrimeve, Ramdan Ilazi ka konfirmuar se Ekzekutivi beson se deri në fund të vitit do të përmbyllet ky proces.

“Kjo është bindja jonë e thellë që Kosova do të marrë liberalizmin e vizave deri në fund të vitit…”, ka thënë Ilazi, për REL.

Ndërkohë, edhe Ministri i Brendshëm i Holandës, Klaas Dijkhof, ka folur në Luksemburg rreth liberalizimit të vizave për Kosovën, Gjeorgjinë dhe Ukrainën. Ka thënë se disa shtete po hezitojnë të marrin vendim pozitiv për liberalizim të vizave.

“Ne shohim përparim në të gjitha propozimet, përfshirë Turqinë, por ne nuk kemi marrë një vendim ende. Disa shtete anëtare kanë shprehur shqetësime konkrete, gjë që ka ndikuar që ato të mos bien dakord për momentin”, ka treguar ai.

“Ne do të vazhdojmë t’i trajtojmë këto shqetësime që vijnë, deri në arritjen e një marrëveshjeje për liberalizimin e vizave për të katër vendet, nëse ato i plotësojnë kriteret sa më shpejt që të jetë e mundur”, ka shtuar Dijkhof.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT