Këto janë kushtet e futbollit të Kosovës

Viti 2016, pritet të jetë vit i pranimit të futbollit të Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe hapja e një epoke të re pas izolimit që zgjati me dekada.

Edhe pse dëshira dhe e drejta janë të padiskutueshme, shteti, federata dhe klubet kosovare kanë shumë punë për të bërë që të jemi të barabartë me vendet evropiane, pasi gjendja është e mjerueshme dhe aktualisht futbolli i Kosovës ka mbetur si një shtëpi pa pullaz.

Kushtet financiare dhe organizmi i dobët i klubeve, cilësohen si dy pikat më të dobëta nga trajnerët  dhe futbollistët.

Trajneri i njohur kosovar, Ismet Munishi, i cili gjatë kohës sa ka qenë futbollist ka luajtur në klubet e ndryshme evropiane, ka thënë për Gazetën Tribuna se Kosova është ende larg.

“Jemi larg ende. Që nga infrastruktura të cilën nuk e kemi, organizimi i klubeve, dhe deri te dinosaurët e Federatës, duhet të largohen për t’ua liruar vendin djemve të ri që po vijnë. Këta janë faktorët që nuk jemi të gatshëm ende për FIFA dhe UEFA”, ka thënë Munishi.

Ai ka shtuar se aktualisht Kosova nuk e ka asnjë stadium që i plotëson kushtet për t’u luajtur një ndeshje ndërkombëtare.

“Te ne asnjë stadium nuk i plotëson kushtet. Nuk e di çka është duke bërë ai ministër i sportit”, theksoi Munishi.

Selmani: Infrastruktura, shqetësuese

Edhe trajneri tjetër, Agron Selmani, në një prononcim për Gazetën Tribuna ka evidencuar disa të meta që janë pengesë e madhe.

“Pranimi i futbollit të Kosovës në UEFA-se dhe FIFA-se, kërkon vetvetiu disa standarde apo plotësime të kritereve. Në plan të parë dhe ajo çka neve na shqetëson është infrastruktura sportive. Por pavarësisht se gjendja me infrastrukturën nuk është e mirë,  megjithatë mendoj se me ndihmën e shtetit/qeverisë së Kosovës, gjendja mund të përmirësohet shumë shpejt dhe mund të krijohen kushtet që klubet kosovare të mos e kenë problem lokacionin për të zhvilluar ndeshjet”, tha Selmani.

Sipas tij, organizimi i klubeve, mbetet një problem i madh.

“Mendoj se duhet të punohet më shumë në reformimin e klubeve, reformimin dhe riorganizimin e nivelit të garave për të gjitha kategoritë dhe me reformim nënkuptoj edhe statusin e klubeve që për momentin shumica e klubeve janë të organizuar dhe aktive në nivelin e OJQ-ve që në një far mënyre këto klube janë të gjithkujt dhe te askujt dhe mund te jen rrezik për vet zhvillimin normal të garave”, tha ai.

Ish – trajneri i Dritës dhe Ferizajt, theksoi se një përparësi është se Kosova ka një numër relativ të trajnerëve të licencuar me kritere të UEFA-s.

Babaj: Veç të pranohemi

Futbollisti i njohur nga Mitrovica, Shpëtim Babaj, që një pjesë të karrierës e kaloi edhe në Evropë, e ka pohuar se kushtet nuk janë të mira, por ai theksoi se edhe disa shtete që janë pjesë e UEFA-s dhe FIFA-s nuk kanë kushte aq të mira.

“Nuk mendoj që është e gatshme sepse infrastruktura është shumë e dobët, por ka edhe shtete të tjera që i kanë këto probleme dhe janë në FIFA dhe UEFA. Kjo gjë mund të përmirësohet shumë shpejt vetëm le të pranohemi njëherë”, ka thënë Babaj.

Sipas tij, Kosova është shumë më prapa për sa i përket organizmit të klubeve dhe duhet të punohet shumë.

“Sa i përket organizimit të klubeve, jemi shumë shumë larg dhe kjo gjë duhet të përmirësohet dukshëm në të gjitha mënyrat dhe mendimi im është se kanë filluar të mendojnë për këtë gjë, por janë duke punuar shumë ngadalë në këtë aspekt, por duhet t’i kuptojmë edhe klubet, sepse duhet të pranohemi dhe pastaj klubet jam i bindur që do të punojnë 100 orë për organizim të mirë”, theksoi futbollisti i Hajvalisë.

Izolimi e ka bërë të vetën

Sekretari i Federatës së futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, i ka thënë Gazetës Tribuna se Kosova ka probleme infrastrukturore, por edhe organizmi i klubeve nuk është në gjendje të mirë.

Ai nënvizoi se izolimi me dekada e ka bërë të veten dhe pranimin në arenën ndërkombëtare, do ta ngjallë futbollin kosovar.

“Është e vërtetë që organizimi i klubeve, duke përjashtuar një numër të vogël, të tjerat janë në gjendje katastrofale. Sot e ke një sekret, pas dy muajve nuk është më ai.. Poashtu kemi pasur probleme me kalime me sistemin TMS me kodet e lojtarëve. Janë një varg problemesh”, theksoi Salihu

Problem sipas sekretarit të FFK-së,  është edhe çështja e pronësisë së stadiumeve dhe menaxhimi i tyre, duke u ndarë detyrat dhe përgjegjësit.

FFK me sistem të ri të licencimit

“Ne në mbledhjen e fundit që e kemi pasur, kemi biseduar me zyrtarët e klubeve dhe që nga 1 gushti do të kemi takimeve më të shpeshta për t’i licencuar ato. Pra jemi duke e përgatitur një sistem të ri të licencimit të klubeve sëbashku me zyrtarin e FFK-së, Adem Qollakajn,  ku do të jenë të gjitha elementet thelbësore, ashtu siç i  kërkon UEFA”, ka deklaruar  Eroll Salihu.

Në fund, Salihu tha se zyrtarët e UEFA-s pritet të vijnë në Kosovë.

“Besoj që do të vijnë edhe zyrtarë të UEFA-s që t’i vizitojnë klubet dhe t’u tregojnë shumë gjëra që kanë të bëjnë me organizmin e mirëfilltë. Mos të harrojmë, vitin tjetër ka gjasa të mëdha që 2-3 klube kosovare të garojnë në arenën ndërkombëtare, andaj duhet të përgatitemi sa më shpejt”, përfundoi Salihu.

Në Kosovë janë luajtur ndeshje miqësore ndërkombëtare të Përfaqësueses së Kosovës, në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë dhe në stadiumin e Prishtinës, por aktualisht nuk kemi asnjë stadium që i plotëson kushtet për ndeshje të tilla.

Stadiumi në Mitrovicë,  në të cilin u investuan rreth 1 milionë euro, është në gjendje të mjerueshme, e në kryeqytet duhen shumë investime për t’u rregulluar ashtu siç kërkohet. Të shpresojmë se do të bëhet mirë. /Gazeta Tribuna/

- Advertisement -

MË TË FUNDIT