Këto janë komunat që nuk publikuan raportin financiar

Instituti Demokratik i Kosovës ka bërë monitorimin e 11 komunave të Kosovës, përfshirë Prishtinën, Prizrenin, Gjakovën, Gjilanin, Malishevën, Suharekën, Rahovecin, Graçanicën, Deçanin, Dragashin e Mamushën, lidhur me publikimin e raportit financiar për periudhën janar-mars 2016, ku ka dalë se tetë nga këto komuna vazhdojnë të injorojnë obligimet ligjore, duke neglizhuar rolin e kuvendeve komunale si dhe duke e shpërfillur Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike

Vetëm kryetarët e Gjilanit, Deçanit dhe Graçanicës kanë publikuar raportet e tyre financiare për këtë tremujor.

“Kryetarët e komunave vazhdojnë të injorojnë obligimet ligjore dhe të neglizhojnë rolin e kuvendeve komunale. Gjatë monitorimit të11 komunave të Kosovës ku përfshihen (Komuna e Prishtinës, Prizrenit, Gjakovës, Gjilanit, Malishevës, Suharekës, Rahovecit, Graçanicës, Deçanit, Dragashit dhe Mamushës,) tetë nga njëmbëdhjetë kryetarë të këtyre komunave kanë shpërfill ligjin për menaxhimin e financave publikepër raportimin edhe publikimin e raportit financiar për periudhat janar-mars 2016. Derisa tre kryetarët si ai nga Gjilani, Deçani dhe Graçanica kanë raportuar dhe publikuar raportet e tyre financiare për tre mujorin e parë të këtij viti”, thuhet në komunikatë.

Sipas KDI-së, 8 nga 11 komunat e monitoruara nuk kanë respektuar legjislacionin aktual në lidhje me transparencën e shpenzimeve financiare për periudhën janar-mars 2016.

“Kjo shpërfillje kryetarëve të komunave në raportime të rregullta dhe periodike për shpenzimet e parasë publike bie ndesh me qeverisjen e mirë për një administrim, menaxhim, përgjegjshmëri dhe transparencë të plotë në shpenzimin e parasë publike”, thuhet në komunikatë.

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) i rekomandon kryetarëve të këtyre komunave përkatëse të cilat nuk kanë sjellë në Kuvend raportet financiare tre mujore të shpenzimeve, që të respektojnë plotësisht legjislacionin aktual.

“Po ashtu, KDI kërkon nga Kuvendet e Komunave si organe më të larta vetëqeverisëse lokale të kërkojnë llogaridhënie nga ana e ekzekutivit komunal sidomos në raportimet e rregullta financiarë bazuar në legjislacionin që rregullon ketë fushë.”

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) që nga janari i vitit 2016 ka filluar zbatimin e projekt it në 11 komunat e Kosovës. Projekti ka për qëllim rritjen e transparencës dhe llogaridhënies institucionale në nivel lokal me theks të veçantë rritjen e transparencës së shpenzimeve financiare të komunave dhe hapjen e këtyre të dhënave karshi publikut të gjerë.

Bazuar në Ligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë, kryetari i Komunës duhet të raportojë shpenzimet financiare tre mujore.

Neni 45.4 i ligjit thotë se “Kryetari i komunës duhet të përgatitë dhe t’i dorëzojë kuvendit komunal raporte tremujore të cilat mbulojnë vitin fiskal deri në fund të tremujorit i cili sapo ka përfunduar. Këto raporte duhet t’i dorëzohen kuvendit komunal dhe një kopje duhet t’i dorëzohet ministrit brenda tridhjetë (30) ditëve pas përfundimit të çdo tremujori dhe më pas duhet të publikohen nga kryetari i komunës në faqen e internetit të komunës. /Telegrafi/

- Advertisement -

MË TË FUNDIT