Këto janë gjashtë banesat që u dëmtuan nga tërmeti i mbrëmshëm

Agjencia

Lëkundjet e tërmetit të mbrëmshëm që u regjistruan në Greqi, janë ndjerë më së shumti në zonën e Devollit si zonë kufitare.

Sipas të dhënave të deritanishme, ka gjashtë raportime për dëmtime banesash, dy në Bilisht, dy në fshatin Mançurisht e dy në fshatin Shuec. Banorët kanë njoftuar instancat lokale në lidhje me situatën, raporton Tch.

Sipas komunikimit me kryetarin e bashkisë Eduart Duro, grupet e emergjencave civile kanë nisur verifikimin në terren për rastet e raportuara.

Paraprakisht thuhet se banesat, për të cilat janë bërë raportime për dëmtime janë banesa të vjetra dhe të amortizuara, që kanë pasur probleme edhe më parë.

Megjithatë, në fund të verifikimeve do të vendoset nëse kanë të bëjnë me dëmtime serioze nga tërmeti, nëse banesat janë të banueshme ose jo, e më pas do të merren masa për ndërhyrje.