Këtë vit Durrësi 80% e plazhit me pagesë

Reduktohen hapësirat për plazhe publike në bregdetin shqiptar, 80% e sipërfaqes së plazhit do të jetë ligjërisht e zaptuar nga shezlongët dhe çadrat me pagesë. Këshilli Bashkiak i Durrësit, mbrëmjen e kaluar ka miratuar hartën e re të ndarjeve të hapësirave të plazheve në varësi të gjerësisë së terrenit në qytetin e Durrësit.

Gjatë diskutimit të kësaj çështjeje u vu re reduktimi me 20% më pak i hapësirës për plazhe publike. Kështu, nga 40% e sipërfaqes që lihej në dispozicion të publikut nga Bashkia e Durrësit me vendim të Këshillit Bashkiak përkundrejt 60% të brezit ranor, që ndahej mes subjekteve private gjatë sezonit turistik, sipërfaqja tkurret. Kështu p.sh. në një total sipërfaqeje parcelash prej 613 m² në plazhin e Currilave, vetëm 123 m² do të jetë me funksion publik.

Kjo në realitet do të thotë aspak plazhe publike. Administrata bashkiake e argumentoi këtë tkurrje me dy vendime të Këshillit të Ministrave, përkatësisht VKM nr. 321 të vitit 2014 dhe VKM-në 436 të vitit 2015, ku përcaktohet se “çdo njësi e qeverisjes vendore që ka në përgjegjësi administrimi dhe që është subjekt autorizimi për përdorim, të lërë në dispozicion për “plazh publik” 20% të territorit të përgjithshëm të plazhit”. Në bazë të këtij akti ligjor që fut një koncept të ri të menaxhimit të parcelës thuhet se plazhi publik menaxhohet dhe është nën administrimin e njësive të qeverisjes vendore, të cilat bëjnë dhe shpërndarjen për stacionet e plazhit publik dhe privat në mënyrë proporcionale.

Në sezonet e kaluara, kur sipërfaqja për të vënë çadrën personale në rërë ishte dyfishi i asaj që lejohet ligjërisht sot, pushuesit e kishin pothuajse të pamundur t’u gëzoheshin banjave të rërës pa pagesë. Kjo VKM ka lënë të pakënaqur mjaft nga këshilltarët që ishin të pranishëm në sallën e Këshillit Bashkiak, ku mungoi shumica e këshilltarëve të së djathtës. Madje u kërkoi që miratimi i kësaj çështjeje të lihet pas zgjedhjeve të 21 qershorit, si dhe të përfshihet në rendin e ditës diskutimi dhe miratimi i shfuqizimit të vendimit të mëparshëm të Këshillit Bashkiak që përcakton raportin 60% plazhe private dhe 40 plazhe publike.

Po për drejtorin juridik në Bashkinë e Durrësit, Artion Beqiraj, VKM-ja e shfuqizon automatikisht vendimin e Parlamentit vendor, çështje juridike që lë vend për t’u diskutuar. Risi për këtë sezon është fakti se është lënë një distancë prej tre metrash nga shëtitorja e këmbësorëve në shërbim të qytetarëve dhe vendosjen e dusheve, kabinave të zhveshjes, koshave të mbeturinave. Gjithashtu është përcaktuar se hapësira përpara brezit të parë të çadrave duhet të jetë e lirë për t’u përdorur nga publiku me pajisjet e veta. Ndërkaq është bërë, sipas administratës bashkiake, pozicionimi i tetë kullave të vrojtimit në një distancë prej 500 ml nga njëra-tjetra; janë pozicionuar tre dhoma të ndihmës së parë, si dhe tre çadra të ndihmës së parë në një distancë prej 900 ml nga njëra-tjetra./Shqip/

- Advertisement -

MË TË FUNDIT