Këtë javë priten shkarkime në Polici të Kosovës

Shkarkime në nivele të larta drejtuese të Policisë së Kosovës pritet të ketë gjatë kësaj jave.

Burime të Gazetës Online “Reporteri.net” tregojnë se Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e ardhshme të kabinetit të tij Qeveritarë pritet të kërkojë shkarkimin e të disa prej drejtuesve të Policisë.

Këto burime nuk kanë treguar se kush mund të jenë eprorët policorë shkarkimin e të cilëve pritet ta kërkojë Kryeministri i ri i vendit, në mbledhjen e dytë të Qeverisë së tij.

Mbledhja e rregullt e kabinetit Qeveritar pritet të mbahet të mërkurën.

Ndërkohë, këto shkarkime pritet të ndodhin pak ditë pasi Inspektorati Policor i Kosovës kreu një aksion arrestimesh të një grupi policësh që dyshohen tu kenë vënë haraç bizneseve, për t’i mbyllur rastet për të cilat hetoheshin.

Në mesin e të arrestuarve edhe një epror i Krimeve Ekonomike në Policinë e Prishtinës, Lavdim Osmani. Ai, sipas raportimeve të mediave ishte person i afërt me të ashtuquajturit ‘krahun’ e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj.

Reporteri.net ka provuar të kontaktojë Qalaj për këto shkarkime të paralajmëruara, por ai nuk është përgjigjur në thirrjet e gazetës. /Reporteri.net/.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT