Jo veç anëtarë të moçëm e të rinj të partive politike, ish-gazetarë e ish-pjesëtarë të shoqërisë civile, aktor, por edhe këngëtarë do të garojnë në zgjedhjet e 6 tetorit për të zënë një ulëse në Kuvendin e Kosovës mandatin e ri.

Por kjo nuk është ndonjë risi, pasi qysh në legjislaturën e parë Kuvendi kishte në mesin e vet një këngëtarë.

Fjala është për këngëtarin e njohur, Sabri Fejzullahu, i cili bënte pjesë në periudhën e parë legjislative nga viti 2001 deri 2004, nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.

 

Ndërsa rasti më i freskët është legjislatura e fundit, ku deputet ishte këngëtari Labinot Tahiri që u zgjodh deputet nga partia e Aleancës Kosova e Re, shkruan Reporteri.net.

Labi ia ka mësyrë garës edhe për legjislaturën e re. Por këtë here ai jo në listën zgjedhore të AKR-së, por në listën e koalicionit AAK-PSD. Labi është i renditur në numrin 48 në listë.

Edhe PDK-ja e Kadri Veselit ka në listë një kandidat që njihet si këngëtarë.

Fjala është për Fahrush Azemin, i njohur më shumë për muzikën popullore.

Fahrushi renditet i 61-ti në listen e PDK-së dhe mbetet të shihet nëse do ta ketë fatin të zgjedhet deputet.

As Lëvizja Vetëvendosje nuk ka ndejtur kot, pasi ka sfiduar PDK-në e AAK-në me një këngëtare që është nga Shqipëria.

Albin Kurti ka njoftuar se partisë së saj i është bashkuar Enkelejda Arifi, e cila është edhe në listën e kandidatëve të saj për deputet. Ajo do ta mbajë numrin 74 në listen e VV-së.

Enkelejda vjen nga Durrësi ku është shkolluar për muzikë (flautë dhe kanto) dhe jeton në Gjilan ku punon si zyrtare për kulturë në komunë që nga viti 2010.

Ajo është këngëtare profesioniste prej 25 vitesh dhe ka një krijimtari të gjerë ku përfshihen dhjetra albume e këngë të zhanreve të ndryshme. /Reporteri.net/.