Këta janë kandidatët për kryetar të Gjykatave që kanë masa disiplinore

Disa nga gjyqtarët të cilët kanë konkurruar për krerë të Gjykatave Themelore dhe asaj të Apelit, kanë të shqiptuar masa disiplinore nga Komisioni Disiplinor i KGJK-së.

Por këto masa nuk i kanë penguar ata për të pretenduar të parin e Gjykatave.

Ushtruesja e detyrës së kryetarit të Gjykatës së Apelit, Tonka Berisha dhe kryetari aktual i Gjykatës Themelore në Prishtinë, janë disa nga kandidatët, të cilët nuk i kanë shpëtuar masës disiplinore të komisionit të KGJK-së.

I pari i Themelores në Prishtinë, i cili synon ta rimarr këtë post, si dhe postin e gjyqtarit të Gjykatës Supreme, Hamdi Ibrahimi, i është shqiptuar  mas e qortimit për sjellje të pahijshme.

“Komisioni Disiplinori i  KGJK ka pranuar nga ZPD-ja një raport përfundimtar për pretendim për sjellje te pahijshme, të cilin raport Komisioni pas mbajtjes se seancës dëgjimore dhe pas administrimit dhe vlerësimit të të gjitha provave,  ka gjetur se Kryetari Ibrahimi ka bërë sjellje të pahijshme t; parapara me nenin 34 paragrafi 1 pika 1.4 të Ligjit për Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe shkelje të Kodit të Etikës dhe Sjelljes profesionale për Gjyqtar dhe i ka shqiptuar masën disiplinore të “Qortimit” është shprehur zëdhënësja e KGJK, Aishe Qorraj.

As dy kandidatët për të postin e të parit të Gjykatës së Apelit, gjyqtarët, Xhevdet Abazi dhe Tonka Berisha kanë të shqiptuar masa disiplinore nga Komisioni Disiplinor i KGJK-së, për sjellje të pahijshme dhe shkelje të Kodit të Etikës profesionale për gjyqtar.

Tonka Berisha, nga Komisioni e ka të shqiptuar një masë disiplinore te” Qortimit”, sepse është gjetur përgjegjëse për sjellje te pahijshme të përcaktuara sipas nenit 5.3 (b) dhe (d) të Urdhëresës Administrative nr.2006/8 si dhe shkelje te Kodit te etikës dhe Sjelljes profesionale për gjyqtar.

Ndërsa gjyqtari Xhevdet Abazi, nga Komisioni Disiplino e ka të shqiptuar një masë disiplinore të “Qortimit”, sepse Komisioni e ka vërtetuar pretendimin e Zyrës së Prokurorit Disiplinor për sjellje të pahijshme të përcaktuara sipas nenit 34 paragrafi, pika 1.3 te Ligjit të KGJK-së dhe shkelje te Kodit të Etikës dhe sjelljes profesionale për gjyqtar.

Megjithatë, të njëjtëve nuk u mohohet e drejta e kandidimit, për faktin se një ndër kushtet kryesor për të marr pozitën e të parit të gjykatës Themelore dhe atë të apelit është që kandidati të mos ketë sanksion disiplinor me vendim të formës së prerë, përjashtimisht nëse ndaj tij është shqiptuar masa e qortimit vetëm një herë.