Kështu kishte tentuar ta mashtrojë shtetin e Kosovës milioneri Arban Abrashi me transportimin e vodkës ruse

Autoritetet doganore në vendimin e marrë në dhjetor të vitit 2012 kanë renditur argumentet se pse nuk i kanë besuar deklarimeve të kompanisë së Arban Abrashit, kandidat i LDK-së për kryetar të Prishtinës.
Vendimi i autoriteteve doganore tregon se kompania e Abrashit e kishte deklaruar një shumë të vlerës së këtyre produkteve por shuma e deklaruar nuk ishte në përputhje me shumën reale të produkteve.
Doganierët kishin gjetur se kompania në pronësi të kandidatit të LDK-së, kishte paraqitur çmim më të ulët sesa që ishte vlera e tregut. Dogana e Kosovës ia ka konfirmuar Insajderit, se kompania e Abrashit ka paraqitur vlerën e produkteve në shumë prej 8 mijë e 600 euro por në fakt ishte 11 mijë euro.
Bazuar në këtë vendim, kompania e Abrashit nuk ishte pajtuar me vendimin e autoriteteve doganore. Por, në këtë vendim tregohen arsyet se pse Dogana nuk i ka besuar kompanisë së Abrashit.
Në vendim janë të renditura argumentet se pse ka pasur mosbesim ndaj deklarimeve të kompanisë së Abrashit.Autoritetet doganore kanë konkluduar se në procedurën e administrimit të provave, dokumentacioni përcjellës i mallit lëndor është vlerësuar si provë e pamjaftueshme për arsye se fatura përcjellëse e mallit nuk është vulosur nga ana e kompanisë eksportuese si dhe e vërtetuar nga shteti eksportues.
Si arsye e parë përmend fakti që fatura nuk është lëshuar nga prodhuesi, por nga ndërmjetësuesi
Po ashtu, në shkresat e lëndës mungon kontrata e shitblerjes në mes eksportuesit dhe importuesit, në të cilën do të përcaktoheshin çmimet e mallit.Arsye tjetër përmendet fakti që kompania nuk ka paraqitur pro faturën për të cilën subjekti ka bërë pagesën e mallit. Po ashtu përmendet edhe një arsye tjetër që ka hasur në mosbesim të autoriteteve doganore. Kompania, sipas vendimit, nuk ka ofruar ndonjë dëshmi për mënyrën e porositjes së mallit dhe po ashtu nuk ka paraqitur transferet bankare.
“Vendi i ngarkimit të mallit nuk korrespondon me vendin e mallit eksportues. Andaj në mungesë të paraqitjes së dokumentacionit të kompletuar dhe të besueshëm për të vërtetuar se vlera transaksionale është vlerë reale e paguar për mallin lëndor, në rastin konkret vlera transaksionale nuk mund të pranohet si vlerë reale e paguar për mallin lëndor.”, thuhet në këtë vendim.
Në vendimin e autoriteteve doganore thuhet se “është obligim i subjektit ankimor që konform nenit 56 të Ligjit të Procedurës Administrative, pretendimet e tij t’i dëshmojë me prova të besueshme të cilat provojnë artë me dokumentacion të kompletuar dhe origjinal të harmonizuar për vlerën reale të mallit të paguar ose të pagueshme për mallin lëndor kontestues”.
Insajderi ka dërguar pyetje tek ekipi i Abrashit për të sqaruar këtë histori të kompanisë së Abrashit me Doganën e Kosovës, por ende nuk ka marrë përgjigje