Kryetari i Odës së mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu, thotë se duhet të merren masa ndaj stafit shëndetësor që refuzojnë të marrin vaksinën kundër virusit Covid-19. Ndërsa, kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla, tha se vaksinimi i detyrueshëm është cenim i të drejtave dhe lirive të njeriut.

Përballja me një valë të re është e paevitueshme, mirëpo se sa do të jetë e përballueshme për sistemin shëndetësor varet se sa qytetarë e kanë kaluar Covidin-19, kështu ka thënë kryetari i Odës së mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu.
“Përballja me valë të reja është e paevitueshme. Se sa do të jetë e përballueshme për sistemin tonë shëndetësor është pikëpyetje sepse nuk jemi të sigurt se sa prej qytetarëve e kanë kaluar infeksionin. Nëse ndodh mbyllja ne e mbyllim veten jo Qeveria. Vetëm mos disiplina e institucioneve tona t’u i përfshirë bizneset sidomos gastronomisë. Sepse shohim çdo ditë që masat nuk po respektohen. Mbylljen do ta bëjmë vet. Edhe ky numër i të vaksinuarve tregon shumë për disiplinën tonë. Problemet që kanë ndodhur një mosinteresim i popullatës është duke çuar në pikëpyetje arritjen e 60% të popullatës. Thirrja e institucioneve përfshirë edhe ministrinë e Shëndetësisë për popullatën është duke munguar dhe mund të ketë telashe në rritjen e numrit të të infektuarve”, tha Sejdiu.

Sipas tij, problem kryesor është mungesa e numrit të mjekëve të specializuar për t’u përballur me pasojat e infektimit.

“Problem është numri i mjekëve të specializuar për t’u përballur me pasojat e infektimit. Edhe këtu kemi mungesa. Unë mendoj se edhe në Kosovë, Qeveria duhet të marrë masa restriktive në shumicën e rasteve prej punëtorëve shëndetësor shumë shtete kanë marrë hapa që nuk mund të merren si shkelje e të drejtave të njeriut porse ruajtja e sistemit përmes largimit në pushime pa pagesë të gjithë atyre punëtorëve shëndetësor të cilët nuk vaksinohen”.

Ndërsa, kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla, thotë se Kosova do ta ketë një valë tjetër, mirëpo se në çfarë mase do të jetë nuk mund të parashikohet.

Tutje, ai tha se pritet përkeqësim i situatës shkaku i frekuentimit të madh të njerëzve në kafene e diskoteka.

“Pra priten rritjen në vazhdim mirëpo se në çfarë mase ajo nuk mund të parashikohet por gjithsesi një valë të katërt do ta ketë Kosova sa i përket variantit Delta. Ajo çka është me rëndësi është të arrihet 60% deri në fund të vitit. Me rëndësi që brenda gushtit të vaksinohen sa më shumë të jetë e mundur popullata sidomos ata në moshën 50 vjeçare dhe nëse kjo arrihet do të presim më me qetësi këtë variantin e ri. Diskoteka punojnë full, gastronomia full, gjithçka është heq nga masat dhe nuk respektohen as masat as distanca andaj pritet përkeqësim. Shumica e mjekëve janë vaksinuar. Vaksinimi duhet të ndodh edhe në arsim. Sepse nëse na kap edhe një valë tjetër mungesa e punëtorëve shëndetësor do të na kushtojë shumë andaj mjekët duhet të jenë më të përgatitur për valën e katërt”, tha Syla.

Megjithatë, Syla tha se Qeveria duhet të marrë masa që ai që nuk vaksinohet nuk ka të drejtë të kërkojë shërbim.

“Të bëhet i obligueshëm konsiderohet si cenim i të drejtës mirëpo konsiderojë që qeveria duhet të gjejë masa që ai që nuk vaksinohet le ta merr përgjegjësinë për vete, atëherë nuk ka të drejtë të kërkojë shërbim. Jo të obligohen po të sensibilizohen ne të gjinden masa të cilat e vetdijsojnë popullatën të vaksinohen. Është në dorën e qeverisë të marrin disa masa të cilat kishin me bindë popullatën që ka vaksina dhe janë shpëtimtare”, tha ai për Ekonomia Online.