Kërkohet që 9 Maji të jetë ditë pune

Me rastin e 9 Majit – Ditës së Evropës është mbajtur tryeza shkencore me temën: “Kosova dhe Evropa Juglindore në dritën e integrimit evropian”.
Kjo konferencë është organizuar nga Fakultetit Filozofik i Universitetit të Prishtinës, “Hasan Prishtina” dhe Qendra për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Studime Ballkanike, raporton “Epoka e re”.
Me këtë rast, dekani i Fakultetit Filozofik, Bujar Dugolli, ka deklaruar se qëllimi i kësaj konference është që bashkërisht të japin një kontribut në rrugën e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian. “Ne do të përpiqem që të japim kontribute në rrugën e Integrimit të Kosovës në BE, punimet tona do të botohen në revistën shkencore dhe do të jenë në dy gjuhë, nga ku mund të shihen dhe përfundimet dhe rekomandimet, pasi ka shumë sfida dhe shumë probleme të natyrës politike dhe teknike për t’u përfunduar, në mënyrë që të jemi të pranishëm për vendet e Bashkimit Evropian. Vonesat kanë ndodhur dhe janë normale, por megjithatë tani më s’do të mund të akuzojmë askënd”, ka thënë ai.
Dugolli ka thënë se Dita e Evropës në Kosovës, duhet të jetë ditë punë dhe të shënohet me aktivitete të cilat dëshmojnë dëshirën e Kosovës për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian. Ai ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që të amandamentojnë Ligjin për festat zyrtare dhe 9 Maj të jetë ditë punë. “I takon Ligjvënësit (Kuvendit) që të amandamentojë Ligjin dhe 9 maji të jetë ditë punë”, ka thënë Dugolli, duke shtuar se në vitin 2016-të është dhënë një dritë jeshile për Kosovën.
Ndërkaq, ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Arsim Bajrami, ka thënë se sot po festojnë Ditën e Evropës, si një shtet i shpresës evropiane. “ Java e kaluar ishte javë evropiane për Kosovën sepse u hap një shpresë për qytetarët e Kosovës që të jenë të barabartë me shtete e Bashkimit Evropian”, ka deklaruar ai. Bajrami, u bërë thirrje euroskeptikëve që të vinë në Kosovë dhe të shohin kapacitet rinore që ka Kosova. “Ne u themi euro skeptikëve ejani në Kosovë dhe shikojeni rinin e Kosovës. Republika e Kosovës, tani e a rrugën e plasuar sepse ne kemit hyrë në MSA dhe po ndërtohemi ngadalë dal si shoqëri evropiane”, ka thënë Bajrami.
Ministri Bajrami ka thënë se procesi i liberalizimit të vizave do të hap shumë rrugë edhe për studentët. “Profesorëve tanë u mundëson që të mbajnë atje ligjërata dhe të flasin për procesin e tranzicionit nëpër të cilën po kalon Kosova”, ka thënë Bajrami.
Në anën tjetër, profesori i së drejtës ndërkombëtare dhe shefi i Departamentit të Shkencave Politike në UP, Afrim Hoti, ka deklaruar se kjo ditë bartë me veti dhe përpjekjet për bashkim të popujve. “Evropa u formua dhe u bashkua, dekada më pas ideja e këtyre burrështetasve ka ardhur dhe në Evropën Juglindore, simbolika e kësaj date lidhet me objektivin tonë për tu bërë pjesë e BE-së. Ne e dimë se nuk kemi arritur cakun, ne vetëm sa kemi nisur maratonën, unë nuk kam dilemë bashkë me ju do e bëjmë”, ka thënë ai.
Në këtë konferencë ka folur edhe kryetari i Komisionit Parlamentar për Arsim, Nait Hasani. Ai ka thënë se Evropa në vazhdimësi ka qenë qellim i shqiptarëve që nga koha e rilindësve.
E Arsim Sinani nga Qendra për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Studime Ballkanike, ka shprehur optimizëm së Kosova shumë shpejtë do të jetë pjesë e BE-së. “Ky është viti i katërtë që bashkë me Fakultetin Filozofik, atë të Tiranës dhe Durrësit ne kemi vendosur të mbajmë tryeza për të diskutuar për problemet tona, për shkak se na ndihmojmë të kemi përfundimet tona që do të ndihmojnë shtetin për integrimin e shteteve tona në Bashkimin Evropian”, ka thënë Sinani.
- Advertisement -

MË TË FUNDIT