Kërkesë publike Ukë Lushit: Na tergo qëndrimin e përbashkët!

1.
Dje sërish Uka i paska bërë thirrje Albin Kurtit, kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje! të takohet me krerët e partive të tjera dhe të bisedojnë për “interesat tona vitale”. Sigurisht të bisedojë edhe me vetë Ukë Lushin.
Por Uka nuk na thotë asgjë sa do të zgjasin bisedimet! As nuk e ka mirësinë të na i thotë, sipas tij, cilët janë “intersat tona vitale”?
Uka i shkretë, nëse nuk ka asnjë mendim për interesat tona vitale, dhe i lig nëse i ka e na i mban fshehur, thjesht mbas 22 vitesh e kopjon Sali Berishën e dikurshëm:
Më 30 mars 1998 Presidenti i atëhershëm Sali Berisha organizoi një tryezë të gjerë politike për miratimin e kërkesës së tij: “Një komb një qëndrim!’’ Morën pjesë rreth 50 parti e subjekte të ndryshëm politikë. Ndër ta Abdi Baleta dhe unë.
Për fatin e keq të organizatorit, Baleta e pyeti: cili është qëndrimi i përbashkët? Cilin qëndrim na ke mbledhur ta miratojmë?
As sot e kësaj dite askush nuk e di. Sepse sa ishte boshe, parulla në vetëvete ishte e pranueshme për të gjithë, sapo secili i jepte përmbajtjen e vet, mbetej e papranueshme për të gjithë.
Por tani Uka e ka afirmuar veten si mbështetësi i pakusht i Grenellit. Prandaj njëlloj si ai, kur në qeveri është Albin Kurti nuk i bën thirrje “Hotit” me iu bashku Kurtit, ndërsa kur në qeveri është “Hoti” i bën thirrje Kurtit me iu bashku “Hotit”!
Mirëpo palët që Lushi u bën thirrje të takohen i kanë shpallë qëndrimet, dhe duket se janë të kundërt . Me cilin qëndrim pajtohet vetë Lushi? Apo ka një të tij, por  të cilin e ruan me xhelozi që ta na befasoj gjatë takimit?
Mos ndoshta z. Lushi ka zgjedh me qenë si zonja nga Berati që u lutej krerëve të PS-së: Aman vetëm ju mos u zini se ne jemi gati të rrimë pa bukë, vetëm ju të pajtoheni dhe të jeni mirë!
Ndoshta jo, sepse, ndryshe prej të sajëve, miqtë e Lushit, domethënë të Grenellit, janë mirë: janë në qeverisje, PDK de facto, të tjerët edhe de jure, korrupsioni vazhdon, pandemia vret njerëz, papunësia rritet, jeta shtrenjtohet, popullsia dëshiron të ikë, Vuçiqit i plotësohet çdo kërkesë, nga implikimet e sovranitetit është hequr dorë, serbët e Kosovës e kanë në dorë ruajtjen e qeverisë, etj. Thjesht është një Albin Kurt që nuk i bashkohet këtij qëndrimi tashmë të përbashkët. Dhe Uka i thërret: bashkohu edhe ti, dhe u kry! Apo jo Ukë? Apo ke ndërmend një qëndrim që do duhej të bëhej i përbashkët gjatë takimit, por nuk na e thua? Pse e fsheh, o Uk? Pse krijon mjegull?

2.
Richard Grenelli ende pa ia pasë takatin do që ta imitojë Richard Hollbrookun në prag të takimit të Rambouillet kur mbizotëronin thirrjet e miqëve tanë ndërkombëtarë: shqiptarë, “flisni me një zë”! Dhe Berishën: “një komb një qëndrim”!
Ashtu bënë shqiptarët: LDK, PDK (atëherë ende UÇK), anëtarë të shoqërisë civile, etj., me një zë e një qëndrim të përbashkët vendosen mos me i përdorë “të drejtat e tyre shtesë” dhe të mos e rrezikonin “sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës Ferderative të Jugosllavisë, ose funksionimin e qeverisë demokratike përfaqësuese në Kosovë” (neni 1 i marrëveshjes). Më një zë e me një qëndrim të përbashkët vendosën me heq dorë nga pavarësia e Kosovës.
Mirëpo, atëbotë Hollbrooku e kishte takatin e imponimit ndaj Serbisë, sepse në sfond kishte vendimin e Presidentit të SHBA-ve dhe fuqive të tjera perëndimore për fillimin e  luftës së armatosur kundër Serbisë, nëse kjo nuk e pranonte marrëveshjen. Shqiptarët luajtën bixhoz me të ardhmen e Kosovës. Dhe na doli mbarë: sepse Millosheviqi nuk e pranoi marrëveshjen.
Vuçiqi ka thënë tashmë se qëllimet e Millosheviqit ishin të mira, por gaboi. Dhe u zotua se vetë nuk do të gabojë sot si ai dikur. Por sot Grenelli nuk e ka mbështetjen e Presidentit të SHBA-ve kundër Serbisë. Apo tani qëndrimi i SHBA-ve në takim do të jetë ndaj Kosovës si atëherë ndaj Serbisë? Dhe Grenelli ia ka taktin ashtu si Hollbrooku dikur?
Atëherë cili do të jetë qëndrimi i përbashkët i shqiptarëve sot? Cilët janë interesat tona vitalë? Të mos e rrezikojnë “sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Serbisë”, siç e definon kushtetuta e saj? Apo ta pranojmë sovranitetin e Kosovës, i cili implikon reciprocitetin si të parin parim në marrëdhëniet ndërmjet shteteve vërtetë sovranë, pra edhe të marrëdhënieve me Serbinë? Mirëpo Grenelli është kundër parimit të reciprocitetit në marrëdhëniet e Kosovës, dhe specifikisht me Serbinë,  por jo me shtetet e tjerë.
Na thuaj o Uk Lushi: a je kundër këtij qëndrimi të Grenellit? Apo e mbështet?
Na thuaj, o Uk qëndrimin tënd, nëse ke ndonjë! Na thuaj e mos na lë në pritje, ose në “suspancë”, siç thonë drejtuesit në tv-shows. Sepse jam i sigurt se pjesë e “showt” mund të jetë vetëm dëshira me i pëlqy Grenellit, por pjesa tjetër nuk është veç sa për show.
Mos u bëj o Uk “zonja nga Berati”, që, së paku në Shqipëri, sa herë kujtohet shkakton më shumë të qeshura tallëse sesa komedia e soc-realizmit “zonja nga Qyteti”.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT