1.2 milion euro është shuma që KEDS ka premtuar të investoj në komunën e Podujevës vetëm për këtë vit. Këto investime do të bëhen më së shumti në rregullimin e e rrjetit elektrik dhe vendosjen e trafove të reja.
Ky është premtimi që vetë drejtori ekzekutiv i rrjetit në KEDS Mehmet Koç, i dha kryetarit të Podujevës Agim Veliut.
Koç dhe Veliu u takuan sot, ku ky i fundit u ankua për reduktime të shpeshta në komunën e tij. Veliu shprehu po ashtu shqetësimin për rrjetin e vjetruar elektrik, i cili në disa lokalitete rrezikon edhe jetën e qytetarëve.
Në këtë kontekst, Kryetari Veliu kërkoi nga KEDS-i që të ndërmarrin veprime konkrete në mënyrë që qytetarëve të Komunës së Podujevës t’u sigurohet furnizimi i rregullt dhe cilësor me energji elektrike.
Drejtori i ekzekutiv i rrjetit në KEDS-i, Mehmet Koç, tha se në projektet e kësaj kompanie komuna e Podujevës bën pjesë në mesin e komunave ku do të investohet më së shumti në rregullimin e rrjetit elektrik.
“Në komunën e Podujevës gjatë këtij viti kemi planifikuar të investojmë rreth 1.2 milion euro në rregullimin e rrjetit elektrik dhe vendosjen e trafove të reja”, tha drejtori Koç.
Në takimin, ku ishin të pranishëm edhe drejtorët komunalë të Shërbimeve Publike, Mbrojtjes dhe Shpëtimit, Urbanizmit, Planifikimit dhe Zhvillimit Ekonomik dhe i Inspeksionit, kryetari Veliu premtoi mbështetje për investimet e KEDS-it, por njëkohësisht kërkoi që kjo kompani të harmonizojë projektet me planet urbanistike të Komunës.