Reshjet e vazhdueshme të shiut dhe borës janë duke bërë që në disa zona të ketë edhe ndërprerje të furnizimit me energji elektrike.

KEDS ka reaguar menjëherë, duke angazhuar rreth 400 punëtorë të terrenit për të sanuar dëmet që po shkaktohen në rrjet si pasojë e faktorëve atmosferik. Zonat më të afektuara aktualisht janë: Distrikti i Pejës, Mitrovicës dhe pjesërisht Prishtina.

Ekipet e KEDS janë duke punuar pandërprerë që nga orët e vona të ditës së djeshme në mënyrë që sa më parë të stabilizohet furnizimi me energji elektrike. Mirëpo, kushtet atmosferike janë duke e vështirësuar tej mase intervenimin, pasi që në shumë zona ekipet nuk po mund të depërtojnë me makineritë e rënda, për shkak se terreni është i pakalueshëm nga reshjet. Kësisoj, ata po detyrohen që rregullimin e prishjeve ta bëjnë duke bartur fizikisht të gjithë materialin e nevojshëm.

KEDS fton të gjithë konsumatorët e zonave të afektuara që në rast se shohin avari në rrjet, assesi të mos i afrohen, por të thërrasin menjëherë Qendrën e Thirrjes në numrin pa pagesë 0800 79 100 apo të na shkruajnë përmes rrjeteve tona sociale.