Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama ka aplikuar me letërnjoftim të UNMIK-ut dhe jo me atë të Republikës së Kosovës, për certifikim për zgjedhjet lokale në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, mëson KALLXO.com dhe kjo mund ta penalizoj certifikimin e kandidaturës së tij për të parin e kryeqytetit.

Megjithëkëtë kandidati i LDK-së e ka një mundësi për përmirësimin në aplikacion, për t’iu mundësuar garimi për zgjedhjet lokale të 17 tetorit.

Zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi ka thënë për KALLXO.com duke u mbështetur në planin operacional të miratuar nga KQZ-ja, më 17 gusht Zyra për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim ka filluar të njoftojë subjektet politike lidhur me përmirësimet apo korrigjimet që duhet të bëjnë.

Sipas tij, kjo është një mundësi që e jep Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe Ligji për Zgjedhjet Lokale që subjektet politike të paraqesin përmirësimet/korrigjimet brenda afatit të caktuar nga Zyra.

“Zyra ka zhvilluar komunikim të tillë me të gjitha subjektet politike, tek të cilat është evidentuar ndonjë gabim/mungesë dokumentacioni që duhet të përmirësohet/korrigjohet”, ka thënë ai.

Elezi ka shtuar se pas kësaj faze, si dhe pasi të përmbyllin procesin e verifikimit të kandidatëve nëse janë në përputhje me Nenin 29 të ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, Zyra do të paraqesë në KQZ rekomandimet për certifikim ose jo të ndonjë kandidati.

“Si gjithmonë, mbledhjet janë të hapura për mediat dhe do të mund të përcjellin procesin e vendimmarrjes së KQZ-së”, ka shtuar ai.

Neni 26 i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës e përcakton shqyrtimin e listës së kandidatëve.

Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, Burimi: Gazeta Zyrtare e KosovësSipas pikës 1 të këtij neni, Zyra i bën një rekomandim të shkruar KQZ-së për ose kundër certifikimit të secilës listë të kandidatëve të pranuar jo më vonë se pesë (5) ditë pune pas afatit për dorëzim të listave.

Kurse në pikën 2 thuhet se “Zyra i shqyrton të gjitha listat e kandidatëve dhe, në rast të përfundimit se subjekti politik i është përgjigjur kërkesave të Kapitullit III dhe IV të këtij ligji, atëherë i rekomandon KQZ-së certifikimin e listës brenda dhjetë (10) ditëve pas pranimit të listës”.

Pika e radhës e përcakton se nëse Zyra vendos që lista e kandidatëve nuk përmbush dispozitën e mësipërme, në atë rast e njofton subjektin politik në fjalë që të korrigjojë listën e kandidatëve në periudhën brenda pesë (5) ditëve të punës, duke dhënë arsyetimin/et/ se përse lista e tyre duhet korrigjuar.

“Subjekti politik i cili e pranon njoftimin e përcaktuar sipas paragrafit 3 të këtij neni i ka tre (3) ditë pune pas pranimit të njoftimit për të dorëzuar aplikimin e korrigjuar ose një arsyetim që adreson shqetësimet në çështjet e identifikuara në njoftim, ose të dyja bashkë”, thuhen në pikën 4.

Zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen më 17 tetor të këtij viti.