Ish-kryetari i PDK-së, Kadri Veseli është larguar nga shtëpia e tij në Bajr të Mitrovicës nën përcjelljen e forcave të shumta të EULEX-it, raporton T7.

Nga pamjet shihen vetura të shumta të policisë së EULEX që e përcjellin Veselin nga shtëpia.

Kadri Veseli ka qëndruar për disa orë në shtëpinë e tij në Mitrovicë për vizitë familjes pas vdekjes së babait të tij të mërkurën.

Në një përgjigje nga Dhomat e Specializuara për Front Online kanë konfirmuar se përshkak të arsyeve humanitare që lidhen me vdekjen e babait të tij, Gjyqtari i Procedurës Paraprake ka lejuar vizitën e Veselit në Kosovë.

“Për shkak të arsyeve bindëse humanitare, Gjykatësi i Procedurës Paraprake e ka udhëzuar Regjistrin që të mundësojë një vizitë nën kujdestari në Kosovë për z.Veseli për të mbajtur zi me familjen e ngushtë. I akuzuari mbetet në ndalim paragjyqësor dhe në ndalim të Dhomave të Specializuara. EULEX-i dhe Policia e Kosovës janë duke i përkrahur Dhomat e Specializuara të Kosovës.”, thuhet në përgjigjen e Speciales.