Takimin e fundit me babanë, Kadri Veseli e pati në Spitalin e Mitrovicës. Aktualisht ai ndodhet në paraburgim në Hagë dhe s’dihet kur do të lëshohet për varrim, raporton Express.

Fazli Veseli, babai i ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli, ka vdekur sot. I njëjti ishte në gjendje të rëndë shëndetësore qe disa muaj.

Lajmin për vdekjen e tij e kanë konfirmuar familjarët për Gazetën Express.

Veseli e kishte takuar babain e tij për herë të fundit në maj të këtij viti. Ai ishte lejuar që të vinte për vizitë në Kosovë, meqenëse babai i tij ishte në gjendje të rëndë shëndetësore.

Menjëherë pas arritjes në Kosovë, Veseli kishte vizituar spitalin e Mitrovicës “Dr.Sami Haxhibeqiri”, nën përcjelljen e forcave të shumta të sigurisë, përfshirë Policinë e Eulex-it.

Menjëherë pas kësaj vizite, Veseli ishte kthyer në paraburgim në Hagë, ku edhe ndodhet aktualisht.

Deri tash, s’ka ndonjë informacion se kur do të lëshohet nga burgu për të marrë pjesë në varrim.

Për vdekjen e babait të Veselit, ka shkruar edhe ish ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj.

Ai përmes një postimi ka treguar për takimin e fundit me të.

Hoxhaj tregoi se hera e fundit kur e ka takuar ka qenë pak ditë pasi Kadri Veseli ishte nisur për Hagë.

“I paska mbyllur sytë përjetësisht babai i Kadrisë, Fazli Veseli! Herën e fundit kur e takova, pak ditë pasi Kadriu ishte nisur për në Hagë, ma shtërngoi dorën në shtëpinë e tij në Mitrovicë, ishte besimplotë dhe i palëkundur se Kosova do të bëhet. Ishte ai që me fjalët e tij na motivoi ne se duhet të mbledhim forcat dhe dhimbjen ta kthejmë në energji për të vazhduar punën e kryetarit Veseli në shtetndërtimin e Kosovës.

Një baba shembull që i edukoi të gjithë fëmijët e tij me ndjenjën e përhershmë të atdhedashurisë. I qoftë i lehtë dheu i Kosovës.”, ka shkruar Hoxhaj./Gazeta Express