Ish-kryetari i PDK-së, Kadri Veseli i cili po mbahet në paraburgim në Hagë, ka arritur sot në Kosovë.

Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale e kanë konfirmuar për KOHËN se Veselit i është lejuar ardhja në Kosovë për shkak të vdekjes së babait të tij, disa ditë më parë.

“Për arsye bindëse humanitare, gjyqtari i procedurës paraprake ka udhëzuar Zyrën e Regjistrimit që të menaxhojë një vizitë kujdestarie në Kosovë, që Z. Veseli të jetë afër familjes së ngushtë. I Akuzuari mbetet në paraburgim të Dhomave të Specializuara. EULEX-i dhe Policia e Kosovës po mbështesin Dhomat e Specializuara të Kosovës”, ka thënë për KOHËN zëdhënësja e Dhomave të Specializuara për Kosovën, Angela Griep.

Babai i Kadri Veseli, Fazli Veseli ka vdekur mëngjesin e 7 korrikut.

Në maj të këtij viti, Kadri Veseli ishte liruar për vizitë nga Haga, për ta vizituar babanë e tij, i cili ndodhej në spital në gjendje të rëndë shëndetësore.