Kaçe: Gabova me fanellën e UÇK-së!

I intervistuar nga faqja e PAOK, mesfushori i Kombëtares tregon për sezonin që sapo u mbyll: “I jam borxhi klubit, që është si familje për mua. Dua të rritem akoma më shumë, por në fillim vjen skuadra, pastaj lojtari”.

I zgjedhur si futbollisti më i mirë i vitit tek PAOK, në një votim ku tifozët e kanë çmuar, Ergys Kaçe tashmë sheh përpara dhe nuk e ul ritmin. Përkundrazi, objektivi është që të ngjitet sa më lart dhe mosha e re ia lejon këtë gjë. Në një intervistë të dhënë për “PAOKFC.gr”, ai ka folur për gjithçka, duke iu rikthyer atij incidenti që për pak nuk i prishi karrierën…

 

  • E prisje që do të shpalleshe futbollisti më i mirë i sezonit për tifozët e PAOK?
  • Të them të drejtën, jo. Ka shumë futbollistë që mund të fitojnë titullin dhe nuk e prisja që të më zgjidhnin mua. Sidomos, duke ditur se puna që bëjmë në qendrën stërvitore shpesh është e heshtur.
  • Cili është motivi që tifozët të kanë zgjedhur ty?
  • Nuk e di. Në çdo ndeshje jap më të mirën për skuadrën. Ndonjëherë kjo nuk është e mjaftueshme. Gjithësesi, dëshira ime është që të ndihmoj PAOK të realizojë synimet që ka dhe më pas vjen kënaqësia dhe rritja individuale. Dua të përmirsohem, sigurisht. Ndoshta, tifozët kanë çmuar këtë fakt. Për mua është tepër e rëndësishme që kam mbështetjen e tyre, pas sezonit të vështirë që kam pasur përpara një viti. Bëra një gabim trashanik dhe në sajë të injorancës (pozoi me një foto të UÇK-së dhe mediet greke u revoltuan) dhe e pagova. Familja e PAOK, gjithësesi, më dha një mundësi të dytë. i jam mirënjohës për këtë dhe do të përpiqem t’i shpërblej gjithmonë.
  • Je përmirësuar akoma më shumë. Sezoni që sapo u mbyll ju ka parë të jeni më kërkues në sulm, të godisni portën kundërshtarë, të vertikalizoni, të jepni asiste për shokët e skuadrës dhe të ekzekutoni edhe goditjet e dënimit. Çfarë ka ndryshuar me Ergys Kaçen?
  • Ashtu si thashë më parë, jam përpjekur që të rritem dhe përmirësohem. Nuk dua të ndalem në këtë aspekt. Dua të provoj gjëra të reja, duke ndihmuar skuadrën në të gjithë sektorët. Ndërkaq, me kalimin e viteve fitova më shumë eksperiencë sidomos në lëvizjet në fushë. Jam ende i ri, kam shumë për të mësuar, ndaj s’kam ndër mend që të ndalem pikërisht tani.
  • Mendon se roli yt natyral është në qendër të mesfushës, ku edhe jep maksimumin dhe të përshtatet?
  • Ndihem mirë. Më pëlqen të ndërrmar iniciativa dhe të ndihmoj ekipin edhe në fazën krijuese, sigurisht pa harruar edhe detyrimet e tjera dhe përgjegjësitë që kam. Por, kujt nuk i pëlqen që të përdorë topin dhe të sulmojë? Sigurisht, duhet gjithmonë të jesh i disponueshëm për çdo rol ku do të të vendosë trajneri. Pasi, siç e thashë, grupi dhe skuadra vjen i pari. Mund të luaj në qendër, në krah, mbrapa. Kudo ku të jetë e nevojshme.
  • Kjo është një fjali të cilën e kemi dëgjuar edhe nga lojtarë të tjerë, pas ndeshjes së fundit, ndaj Asteras Tripolis
  • Eshtë realiteti. PAOK duhet që të jetë mbi lojtarët. Sigurisht, mua s’më pëlqen që ta them në publik atë që mendoj, por natyrisht që Athanasiadis (lojtari që ka kritikuar futbollistët pas ndeshjes) ka të drejtë të thotë çfarë mendon, pasi ai ka vite në ekip dhe është lider. Dua të mbaj për vete gabimet që bëra sezonin që sapo u mbyll dhe mezi pres të rinisë një tjetër. Do të jetë përvojë për t’u përmirësuar.
  • Një fillim i ri, pra me trajnerin që sapo ka ardhur, Igor Tudor. Si e pret sezonin e ri?
  • Me padurim. Nuk kemi pushuar shumë, por jemi të vetëdijshëm dhe duhet të kemi përgjegjësinë dhe dëshirën për të harruar atë që ndodhi në sezonin që sapo u mbyll dhe të përmbysim këtë situatë jo të mirë. Duhet të përgatisim sa më mirë ndeshjet kualifikuese për në Europa League, në mënyrë që të shkojmë në fazën e grupeve dhe të jemi kompetitivë që në fillim të kampionatit. Mesa duket, gjysma e mirë e sezonit të shkuar nuk shërbeu aspak. Sa i përket trajnerit Igor Tudor, ai ka një personalitet të jashtëzakonshëm dhe karriera që ka bërë flet për të. Ka fituar tituj dhe luajtur në një nga kampionatet më të vështira në botë, Itali. Di të them që është trajner shumë i zoti.

 

- Advertisement -

MË TË FUNDIT