Juventus në histori, për të katërten herë radhazi kampione

Kundër Sampdorias, në një impiant ku mungonin tifozët bardhezi, përkundrejt dikujt që kishte arritur të kamuflohej nën gjyrat e dorianëve, ka nisur festa e titullit të katërt kampion radhazi, një formalitet për të cilin nevojitej vetëm një pikë, ndonëse Arturo Vidal, në minutën e 32-të të pjesës së parë, vendosi që titulli i katërt të shoqërohej me tri pikët e radhës në renditje.
Edhe pse ky është titulli i 31-të ligjërisht për Juventusin, Bufon me shokë shpalosën fanellat me numrin 33-të, duke qenë se dy trofetë e anuluar nga “Calciopoli” ata i quajnë të tyrët dhe të tillë do të mbesin gjithmonë për mbështetësit e “Zonjës së Vjetër”. Edhe pse largimi i Antonio Kontes erdhi si një rrufe në qiell të hapur, nga dje trajneri i ri, Masimiliano Alegri, ka startuar një cikël të ri fitues personal.
Livornezi i cili u prit me ofendime dhe gurë që në ditën e tij të parë në “Vinovo”, nga dje u përshëndet dhe u “godit” vetëm me elozhe dhe euforizma, duke qenë se 47-vjeçari arriti që jo vetëm ashtu si Konte të fitojë titullin kampion në vitin e parë, por më shumë sesa paraardhësi i tij ka arritur të dërgojë këtë Juventus të udhëhequr në fushë nga “gjenerali” Tevez edhe në finalen e Kupës së Italisë dhe në gjysmëfinalen e Ligës së Kampioneve, ku i pret Reali i Madridit.
- Advertisement -

MË TË FUNDIT