Jashari: Qytetarët e Kosovës e kanë humbur besimin në drejtësi

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari është shprehur i bindur se do ta kryej me sukses detyrën të cilën e ka marrë para pak ditësh.

Madje sipas tij hyrja në fuqi e Ligjit për Avokatin e Popullit dhe e atij kundër diskriminimit do të ndikojnë pozitivisht në punën e Ombudspersonit pasi që këto dy ligje sipas Jasharit i japin me shumë fuqi atij për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve të vendit.

Jahsari në një intervistë për KosovaPress, ka folur edhe për prioritet e tij në fillim të mandatit.

Avokati i ri tha se besimi i qytetarëve të Kosovës është i luhatur në të gjitha institucionet e drejtësisë dhe jo vetëm në Institucionin e Avokatit të Popullit. Jashari shpreson se me ligjin e ri institucioni i Avokatit do të fuqizohet.

“Konsideroj që besimi i qytetarëve është i luhatur dhe jo vetëm te institucioni e Ombudspersonit, por pjesën më të madhe në sistemin e drejtësisë. Dhe për atë ishte e nevojshme të intervenohet pasi që institucioni i Avokatit të Popullit, është institucion në shërbim të qytetarit të Kosovës, me qëllim të mbrojtjes së aprovimit të drejtave të tyre karshi keqpërdorimeve ose abuzimeve që mund të bëhen nga autoritetetpublike, prandaj mënyra se si mendoj me bë këtë është, ju mund të jeni në dijeni që ligji për avokatin e popullit javën e ardhshme hynë në fuqi me datën 12.. Ky ligj do të fuqizojë dukshëm mandatin e Avokatit të Popullit, duke filluar prej raporteve të veçanta që Avokati i Popullit mund të bëjë te autoritete përkatëse”, tha Jashari.

Me ligjin e ri Avokati i Popullit sqaron se ka mandat vetëm ndaj institucioneve publike por jo edhe ndaj atyre private, me përjashtim në rast të diskriminimit në këtë sektor.

“Duhet të jeni në dijeni se Avokati i Popullit ka mandat vetëm ndaj institucioneve publike, dhe jo ndaj institucioneve private, në kuptimin gjeneral të mandatit që ka. Ndërsa, me ligjin aktual kundër diskriminimit, i është dhënë mandat për të hetuar edhe pretendimet për diskriminim ndaj sektorit privat. Ky ligj gjithashtu hyn në fuqi së bashku me ligjin për Avokatin e Popullit, sepse në të njëjtën kohë janë miratuar. Dhe këtu, institucioni i Avokatit të Popullit kanë filluar përgatitjet për zbatimin e këtij ligji, edhe është gjithashtu prej komponentëve më të rëndësishme që ka institucioni i Avokatit të Popullit para vetes, dhe në të njëjtën masë premtojmë me fuqizu. Ka me qenë edhe sektori privat i përshirë, por vetëm në fushën e diskriminimit, dhe jo në fushat e tjera”, tha Jashari.

Madje, Jashari është shprehur se ky institucion do të hap dyert për bashkëpunim me organizata joqeveritare, të cilat punojnë për të Drejtat e Njeriut, pasi deri tani janë të pashfrytëzuara në Kosovë.

“Ombudspersonit mendon të hap dyert për organizatat joqeveritare të cilat punojnë në fushat për të drejtat e njeriut, për të bashkëpunuar, normal gjithmonë me qëllimin më të mirë për të vendos drejtën e shkelur, për të shfrytëzuar ato raporte të gjetura të cilat shoqëria civile gjatë gjithë kohës i bën. Dhe një pjesë tjetër sigurisht ka me qenë promovimi që janë pjesë pothuajse e të njëjtës medalje, edhe në Kosovë ka mjaft nevojë të bëhet, ngase qytetarët jo gjithmonë janë në dijeni për zhvillimet ligjore në sistemin tonë juridik për risitë që ato sjellin për detyrimet ose të drejtat e tyre”, theksoi Jashari.

I pyetur se a do të ketë raport lidhur me pretendimet e ish-avokatit, Sami Kurteshi se ka pasur shkelje nga Gjykata Kushtetuese lidhur me emërimet e tre gjyqtarëve ndërkombëtarë, për një gjë të tillë ai thotë se do të prononcohet institucioni që ai udhëheqë nëse konsiderohet se ka pasur shkelje.

“Nëse kërkohet prej Avokati të Popullit, sigurisht që ka me u prononcu për këtë çështje. Sigurisht, Avokati i Popullit ka me ngrit ato shqetësime, por nëse është situatë që ka tejkalime të autorizimeve të Avokatit të Popullit, sigurisht që Avokati i Popullit nuk ka me i trajtu ato dhe ka me i bërë si të pa trajtueshme. Jo gjithçka bjen në kompetencat e Avokatit të Popullit, dhe jo për gjithçka Avokati i Popullit është i autorizuar. Mandati kryesor është mbrojtja e drejtave të njeriut”, tha ai.

Megjithatë, ai thotë se sfidë për Kosovën është edhe sistemi ligjor, me mospajtueshmërinë e ligjeve me standardet ndërkombëtare, dhe se pjesa më e madhe e ligjeve kanë kundërshtime mes vete, e që po pengojnë zbatimin e drejtësisë.

“Një pjesë e madhe e ligjeve kanë kohezion, kanë kundërshtime mes vete, që realisht po pengojnë zbatimin e drejtësisë, pjesën më të madhe po shkaktojnë konfuzione edhe vetë sistemin gjyqësor për zbatimin e drejtësisë. Pjesa e dytë e problemit ka të bëjë me sistemin gjyqësor, jo me vetë gjyqtarët të cilët zbatojnë drejtësinë, sesa ka të bëjë me vetë sistemin me të cilin është ndërtuar”, pohoi Jashari.

Ai nuk ka dashur të vlerësojë punën e paraardhësi i tij Sami Kurteshi, duke thënë se kjo është në kompetencat e Kuvendit të Kosovës, pasi ai zgjedh Avokatin e Popullit.

Jashari nuk ka komentuar për themelimin e Gjykatës Speciale, për arsye se nuk ka ndonjë akt juridik nga institucionet e Kosovës, i cili pastaj do të vlerësonte në përputhshmëri me standardet ndërkombëtare./Sh.Ahmeti/

- Advertisement -

MË TË FUNDIT