Jashar Lushtaku: Ky është viti më i suksesshem i arsimit në Skenderaj

Intervistë me Jashar Lushtakun, drejtor i Drejtorisë për Arsim në Skenderaj.

Drenica Press: Përshendetje  z. Jashar Lushtaku, si e vlerësoni vitin akademik 2014-2015 të arsimit në Skenderaj?

Jashar Lushtaku: Në bazë të plan-programit të Ministrisë së Arsimit, e cila parasheh numrin e ditëve të punës mund të themi se ky vit shkollor po përfundon me sukses edhe pse kishte tri ditë grevë nga mësimdhënësit, por së bashku më ta jemi dakorduar që ato tri ditë të humbura të zëvendësohen në fund të këtij viti shkollor.

Ndërkaq sa i përket analizës së suksesit të nxënësve nga gjysmëvjetori i parë dhe analizat periodike të gjysmëvjetorit të dytë dëshmon se janë arritur suksese të mira në procesin edukativo-arsimor. Këtë që po e them tani e dëshmon fakti se vet shpërblimet që i kemi dhuruar ne si DKA për mësimdhënësit dhe nxënësit më të mirë të kësaj komune. Këtë vlerësim e kemi bërë në bazë të sukseseve të arritura në garat në nivelin shtetëror, ku nxënësit e komunës sonë kanë zërë vendet e para në nivel Kosove, që dëshmon më së miri që ky vit ishte njëri prej viteve më të suksesshmeve në arsimin e Skenderajt.

Drenica Press: Komuna e Skenderajt një kohë ka pasur probleme të mëdha më hapësirat e objekteve shkollore, ku shkollat në këtë komunë nuk kanë mundur të ofrojnë kushte standardeve të mira për një zhvillim të mësimit cilësor. Tani cilat janë projektet infrastrukturore për ndërtimin e shkollave të reja për këtë vit dhe cilat projekte mendoni t’i realizoni në vitin e ardhshëm?

Jashar Lushtaku: Në këtë vit janë pesë shkolla në ndërtim e sipër, ndoshta nuk mund të realizohen të gjitha, por presim që brenda këtij viti shkolla  fillore në Ticë të jetë gati për në shtator, poashtu presim që edhe shkolla e mesme e gjimnazit të jetë gati për përurim në muajin shtator.

Ndërkaq jemi në përpjekje të sigurojmë mjete që shkolla fillore në Qirez të jetë gati edhe ajo, pasi aty janë duke u bërë ndërtimet e vrazhda.

Kurse planet për vitin e ardhshëm janë të ndërtohet një shkollë fillore në fshatin Makermal dhe një shkollë fillre në fshatin Polac e poashtu të vazhdohet edhe me shkolla tjera siç është me shkollën fillore në fshatin Qubrel. Por përpjekjet tona do të vazhdojnë edhe mëtutje që edhe shkolla tjera të trajtohen në vitet në vazhdim.

 Ndërsa sa i përket në aspektin e ngritjes profesionale të mësimdhënësve, projekti më i rënëdësishëm gjatë këtij viti ka qenë aftësimi dhe përgatitja e mësimdhënësve për përdorimin e teknologjisë së informacionit (kompjuterëve). Ne kemi dërguar në çdo shkollë një numër të kompjuterëve si kompjuter statik ashtu edhe kompjuter levizës lap-top, për të shërbyer për realizimin e punës praktike të nxënësve me kompjuter. Gjithashtu kemi dërguar edhe lap-top dhe projektor nëpër shkolla në mënyrë që mësimdhënësit tanë të zhvillojnë metodat më bashkëkohore të mësimdhënies. Tani gjendja nëpër shkollat e komunës së Skenderajt është shumë më e mirë, ku çdo shkollë është e pajisur me internet, çdo shkollë e kësaj komune ka ujë të pijes, poashtu të gjitha shkollat në komunën e Skenderajt kanë kushtet higjieno-teknike në nivel të kënaqur.

Por ne si DKA do të vazhdojmë dinamikën edhe më të madhe të punës për të përmirësuar kushtet e nevojshme për një arsim të nvelit më të mirë të standardeve europiane.

Duke mos dashur të gjykoj të kaluarën, por vetëm duke dashur të dalloj të djeshmen dhe të sotmen, dua të them se tani edhe ambienti i jashtëm nëpër shkollat tona është krejtësisht në një gjendje më të mirë, oborret e shkollave janë të rregulluara me parqe e ku më parë kanë munguar madje edhe rrethojat e shkollës, në të kaluarën njerëzit nëpër oborret e shkollave ushqenin bagëtitë e që fatmirësisht kjo gjendje nëpër oborret e shkollave tona tani nuk  egziston.

Drenica Press: Z. drejor si është siguria nëpër shkollat në komunënën e Skenderajt?

Deri më tani kemi arritur të instalojmë kamerat në të gjitha shkollat dhe kjo ka ndikuar shumë në aspektin pozitiv që si nxënësit ashtu edhe mësimdhënësit të kenë një siguri më të mirë. Intalimi i kamerave ka bërë që gjithashtu të vezhgohet edhe cilësia e punës së mësimdhënësit, pasi që mësimdhënësi është vazhdimisht nën përcjelljen e kamerave, ku disa gjeste që kanë mundur t’i bëjnë mësimdhenësit më parë tani nuk mund t’i bëjnë si p.sh: mësimdhënësi nuk mund ta humbë orën, nuk mund të përdor telefonin në orën mësimore, të ndez cigare në objektin shkollor  apo të lexoj gazeta brenda orës. Nuk mund të them që këto gjëra kanë ndodhur, por them se këto gjëra kanë mundur të ndodhin.

Të gjitha këto hapa që i kemi ndërmarr me përgjegjësi të plotë e them se arsimi në Skenderaj po ec në një rrugë të mbarë.

Drenica Press: Z. drejtor komuna e Skenderajt është njëra ndër komunat më të varfëra që përbën edhe një sfidë për drejtorinë tuaj, pasiqë një numër i nxënësve janë në gjendje të vështirë ekonomike, ku ju nevojitet ndihmë financiare për të vazhduar shkollimin. Sa bursa ka ndarë Drejtoria e Arsimit dhe a  pritet që drejtoria e juaj të rrisë buxhetin për të ndarë bursa shkollimi, nxënësve me kushte të vështira?

Jashar Lushtaku: Ne si komunë kemi ndarë bursa për nxënës me kushte të vështira ekonomike, përafërsisht ne kemi ndarë diku 100 bursa për 100 nxënës në këtë vit. Këto bursa janë ndarë për ata nxënës që e kanë më larg udhëtimin dhe janë nxënës të shkollave të mesme. Kriteret për të fituar bursë kanë qenë, nxënësit me gjëndje të vështirë ekonomike, nxënësit me sukses të shkëlqyer. Por komuna e jonë është më specifike, pasi kemi pesë paralele me nxënës me nevoja të veçanta, ku vetëm komuna e Prishtinës ka më shumë paralele se sa ne, ajo ka shtatë paralele. Të gjendur përballë kësaj situate ne i kemi dhënë prioritet edukimit inkluziv apo arsimit gjithpërfishirës. Për këta nxënës me nevoja të veçanta ne kemi siguruar pesë klasë në pesë shkolla dhe këtyre nxënësve ju kemi siguruar trasportin.

Drenica Press: Në fund të kësaj interviste z. drejtor cili është mesazhi i juaj për nxënësit dhe mësimdhënësit e kësaj komune?

Jashar Lushtaku: Tani kisha përdorur një thënie të Naim Frashërit, ku thotë se  “Vetëm dritë e diturisë na shtyn përpara” përmes kësaj thënie dua të them mesazhin tim se ne mund të ecim përpara vetëm përmes diturisë. Prandaj, kur ne kemi shpërblyer këtë vit mësimdhënësit dhe nxënësit më të mirë të kësaj komune ka mundur secili të sheh vetën se ku është, secili drejtor  shkolle ka mundur të shoh vetën dhe shkollën se ku është. Kështu unë në fund dua të them që ne do të vezhgojmë, do të përcjellim, do të stimulojmë, do të mbështesim gjithmonë më të mirët./drenicapress/

- Advertisement -

MË TË FUNDIT