Jamie Shea: Kosova duhet të zgjidh çështjen e shteteve mosnjohëse, për t’u bërë anëtare e NATO’s

Jamie Shea, ish-zëvendës i ndihmësit të sekretarit të përgjithshëm të NATO’s, ka thënë se për t’u anëtarësuar Kosova në NATO duhet të zgjidhet çështja e shteteve mosnjohëse, që janë anëtare të saj.

Në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, Jamie Shea ka thënë folur për ndikimin e mundshëm të luftës në Ukrainë në Ballkanin Perëndimor, ku ka thënë se komuniteti ndërkombëtar duhet t’i bëjë “presion masiv” Serbisë për t’i çuar përpara bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Ai ka thënë se rusët po përpiqen t’iu kundërvihen përpjekjeve perëndimore në Ballkan.

“E dini, ata kanë punuar shumë për Serbinë. Kreu i Këshillit të Sigurimit të Federatës Ruse, Nikolai Patrushev, ka planifikuar të vizitojë Serbinë, disa ditë më parë, për të biseduar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. Rusia i ka shitur shumë armë Serbisë, i ka shitur avionë ushtarakë – shumë më tepër sesa i nevojiten, marrë parasysh nivelin shumë të ulët të kërcënimeve. Rusët i kanë siguruar edhe Millorad Dodikut në Republikën Sërpska pajisje ushtarake. Ka pasur shumë lojëra nga kompanitë ruse të gazit, Gazprom, Rosneft, që të investojnë në Ballkan, në përpjekje për të fituar kontrollin e rrjeteve të tyre për shpërndarjen e energjisë. Dhe, është shumë interesante se si presidenti Vuçiq – edhe pse Serbia është vend kandidat për anëtarësim në BE – nuk i ka ndjekur sanksionet e BE-së kundër Rusisë, sikurse që nuk i ka ndjekur as pas aneksimit të Krimesë nga Rusia, në vitin 2014. Qasja e Serbisë është: unë dua të jem vend i BE-së në të ardhmen, por refuzoj të veproj si vend i BE-së. Rusia ka bërë përpjekje të ndërhyjë edhe në zgjedhjet në Maqedoni të Veriut”, ka thënë Shea.

Tutje ai ka thënë se për fat të mirë në Ballkan nuk është situata sikurse në Ukrainë.

“Nuk janë 150,000 trupa ruse të grumbulluara në kufi të Serbisë, apo Kosovës, apo Shqipërisë. BE-ja dhe amerikanët janë në një pozicion më të mirë për të ndaluar destabilizimin e Ballkanit nga Rusia”, është shprehur Shea.

Ish-zëvendës i ndihmësit të sekretarit të përgjithshëm të NATO’s, ka folur edhe për efektin e luftës së Ukrainës në Kosovë.

“Kosovarët, para së gjithash, kanë treguar solidaritet. Kam dëgjuar se si presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Kosova do të pranonte refugjatë nga Ukraina, sepse ata vetë kanë qenë refugjatë në vitin 1999 dhe e kuptojnë se çfarë do të thotë të dëbohesh nga një agresor. Natyrisht, mendoj se përpjekjet ruse janë një tjetër pretekst për Bashkimin Evropian, për të dërguarin e tij të posaçëm, Mirosllav Lajçak, për t’i shtyrë përpara bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë, në përpjekje për t’i zgjidhur disa nga çështjet e mbetura. Bashkimi Evropian duhet t’i bëjë presion masiv Serbisë, duke i treguar se nuk mund të jetë në kampin demokratik dhe në kampin autoritar në të njëjtën kohë dhe duke i treguar se njohja e Kosovës është thelbësore nëse dëshiron që një ditë të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian”, ka thënë Shea.

Ai është pyetur edhe sa është e rëndësishme për Kosovën që të anëtarësohet në NATO?

“Kosovarët janë shumë entuziastë për NATO-n. NATO ka ende mbi 3,000 trupa në Kosovë që e mbrojnë çdo ditë. Deri diku, Kosova është një lloj anëtareje de facto e NATO-s, sepse mbrohet nga trupat e NATO-s. Por, për t’u anëtarësuar, duhet të zgjidhet çështja e shteteve mosnjohëse, që janë anëtare të NATO-s. Vendet si Spanja dhe Sllovakia, për arsye të veta historike, nuk e njohin Kosovën. Ky është problem edhe në Bashkimin Evropian dhe është një pengesë e madhe. Për momentin, shpresoj që NATO-ja do të rrisë bashkëpunimin me Kosovën, në Partneritetin për Paqe, dhe së paku të fillojmë ta përgatisim Kosovën në përputhje me standardet e NATO-s, që të jetë si anëtare e NATO-s, në mënyrë që kur të hiqen pengesat politike, ajo të jetë në përputhje me standardet e NATO-s dhe të anëtarësohet shpejt në Aleancë”, ka thënë në fund Shea.

Jamie Shea, është mik i madh i shqiptarëve dhe ka pasur një rol të madh në çlirimin e Kosovës.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT