Jahjaga: Gjykata Speciale, nuk gjykon luftën çlirimtare

Presidentja Jahjaga e njoftoi Ambasadori Rapp për përmbylljen e procesit të shqyrtimit të amendamenteve nga Gjykata Kushtetuese që i hap rrugë themelimit të Gjykatës Speciale.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga priti sot në takim Stephen Rapp, Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për krime lufte, për të diskutuar për procesin e themelimit të Gjykatës Speciale.
Presidentja Jahjaga e njoftoi Ambasadori Rapp për përmbylljen e procesit të shqyrtimit të amendamenteve nga Gjykata Kushtetuese që i hap rrugë themelimit të Gjykatës Speciale, e cila do të sigurojë një proces kredibil dhe të përgjegjshëm për t’u përballur me akuzat e ngritura në raportin e Këshillit të Evropës.
Presidentja Jahjaga tha se institucionet e Kosovës tashmë kanë dëshmuar përgjegjësinë për këtë proces dhe mbesin të përkushtuara të përmbushin këtë obligim ndërkombëtar, që do të dëshmojë seriozitetin e Republikës së Kosovës si pjesëtare e përgjegjshme e arenës ndërkombëtare.
Jahjaga theksoi se, duke u bazuar në rolin e saj kushtetues, do të vazhdojë të angazhohet me të gjitha institucionet dhe grupet parlamentare e spektrin politik, të diskutojë përgjegjësitë dhe implikimet që dalin nga procesi i themelimit të Gjykatës Speciale, e cila nuk do të gjykojë luftën çlirimtare të popullit të Kosovës, por do të përcaktojë përgjegjësinë individuale për akuzat e ngritura.
- Advertisement -

MË TË FUNDIT