Jacobson: Duhet ndryshim mentaliteti

Ambasadorja Amerikane në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, kritikoi ashpër institucionet e vendit për nivelin e lartë të korrupsionit, duke e vlerësuar këtë fenomen si problemin kryesor që pamundëson zhvillimin ekonomik dhe investimet e huaja.

Jacobson foli në një organizim të Odës Amerikane të Kosovës për ekonominë, ku morën pjesë përfaqësues biznesesh, të qeverisë dhe vetë Kryeministri Isa Mustafa.

Ajo përmendi rënien e investimeve të huaja, vështirësitë e të bërit biznes, renditjen e lartë përsa i përket korrupsionit në Transparency Itnernational, por edhe faktin se në Kosovë mund të jesh i dyshuar për korrupsion e njëkohësisht të mbash pozita në prokurimin publik.

“Ne mund të themi se indeksi i Transparency International është indeks i përceptimit dhe jo realitet, por duhet shumë punë për ta ndryshuar këtë perceptim, për shembull kur Qeveria ka zyrtarë të lartë të prokurimit të cilët hetohen për korrupsion dhe që njëkohësisht janë ende në vendet e punës duke marrë vendime të prokurimit. Kështu do të jetë shumë e vështirë të përmirësohet përceptimi për korrupsionin. Kjo nuk është një çështje vetëm e qeverisë, kjo është një çështje edhe e tërë shoqërisë. Ne, komuniteti ndërkombëtar, mund të mundësojmë trajnime, asistencë, pajisje, por këtu kërkohet të ndryshohet mentaliteti jo vetëm i atyre zyrtarëve që kërkojnë ryshfet, por edhe i kompanive apo individëve që paguajnë për të”, tha Jacobson, transmeton TCH.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, nga ana e tij përmendi ankesa të mëdha nga investitorët e huaj për praninë e madhe të korrupsionit.

Ai kërkoi aleancë nga bizneset në mënyrë që të luftohet kjo dukuri, pasi siç tha ai, qeveria nuk mund ta luftojë në mënyrë të njëanshme.

“Korrupsionin nuk mund ta luftojmë në mënyrë të njëanshme, por edhe ju duhet të na ndihmoni. Nuk duhet t’i nënshtroheni korrupsionit, tregoni se kush nga institucionet qeveritare ose të tjerat kërkon që përmes sistemit të korruptimit të ndërtojë ekonominë dhe unë ju betohem që ne do të marrim masa që kjo të mos ndodhë. Ne duhet që bashkarisht të bëjmë aleancë, në mënyrë që bashkarisht ta luftojmë prezencën e korrupsionit”, tha Mustafa.

Shefi i ekzekutivit kosovar tha se qeveria është shumë e vendosur që të luftojë kundër ekonomisë informale.

Ai pranoi se Kosova është e përfshirë nga informaliteti në punësim, në tregti, në tatime dhe dogana dhe zvogëlimi i tyre sipas tij përmirëson konkurrencën në treg, rritjen e të ardhurave e po kështu duke luftuar ekonominë informale përmirësohet edhe pozita e punëtorëve në sektorin privat.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT