Ja sa vëzhgues do të jenë nesër në Drenas

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka thënë se KQZ ka bërë të gjitha përgatitjet për raundin e dytë të zgjedhjeve në Drenas.

Elezi ka thënë se në balotazh do të ketë numër më të madh të vëzhguesve ngase ka pasur afat shtesë për aplikim.

Ai ka thënë se të dielën do të jenë mbi 1 mijë vëzhgues në monitorim të zgjedhjeve.

Elezi ka thënë se shuma e planifikuar për raundin e dytë të zgjedhjeve në Drenas, është rreth 70 mijë euro. Ndërsa, sa do të kushtojë saktë ky proces zgjedhor, sipas tij do të bëhet e ditur pas këtij procesi.

Sipas Elezit, KQZ-e ka shkurtuar afatin kohor për zgjedhjet në Drenas, që të mbahet balotazhi dy javë më herët ngase pjesëmarrja e qytetarëve në votime ka mundur të jetë e ulët për shkak të festës së fundvitit.

Arsye tjetër sipas Elezit është se shumë misione ndërkombëtare kanë mundur të jenë në pushime dhe për KQZ-në sipas tij është e rëndësishme pjesëmarrja e vëzhguesve ndërkombëtar.