Ja sa para fitoi Prishtina nga Liga Ballkanike

Sigal Prishtina mposhti në finale Rilskin për ta fituar trofeun e parë ndërkombëtar në basketbollin kosovar.
Sigal Prishtina arriti një sukses të madh këtë javë, më të madhin e një skuadre të basketbollit në Kosovë.
Ajo u shpall fituese e Ligës Ballkanike, duke mposhtur në të dyja finalet skuadrën bullgare, Rilski.
E, për të arritur gjerë te ky sukses, Prishtina shpenzoi hiq më pak se 400 mijë euro gjatë këtij edicioni. Por, si iu shpërblye materialisht një sukses i tillë nga Liga Ballkanike?
“Vitin e kaluar ka qenë rreth 8000 euro shuma për kampionin, por këtë vit e kanë bërë me përqindje. Ata i shikojnë të hyrat e tyre dhe në bazë të saj vendosin për pjesën tonë”, u shpreh për Express, drejtori i klubit, Florian Miftari.
“Do të jetë më pak se 8000 euro këtë vit, ndoshta diku rreth 5000”, shtoi tutje ish-basketbollisti prishtinas, i cili zbulon se klubi harxhoi të paktën 400 mijë euro këtë edicion.
E, për stinorin tjetër Miftari thotë se Prishtina nuk do të ndalet dhe do të jetë në kërkim të aventurave dhe triumfeve tjera.
“Janë disa fjalë se Liga Ballkanike mund të bashkohet me ABA ligën për të krijuar një ligë të re ballkanike, por ende nuk e dimë se çfarë do të ndodh. Ne për momentin jemi të fokusuar ta mbyllim stinorin në Kosovë”, përfundoi Miftari.
Ky i fundit u rikthye te Sigal Prishtina në kryesinë e saj së bashku me ish-lojtarin tjetër të kësaj skuadre, Blerand Stavileci.
- Advertisement -

MË TË FUNDIT