Numri i votuesve jashtë Kosovës ka shënuar rritje përgjatë viteve. Nga viti 2010 ku janë mbajtur zgjedhjet e para të Kosovës si shtet, është regjistruar numër i vogël i votuesve jashtë vendit. Ky numër është rritur dukshëm përgjatë nëntë viteve, përkatësisht në vitin 2019.

Në vitin 2010 kur Kosova organizoi zgjedhjet e para si shtet, interesimi i votuesve jashtë vendit nuk ishte i madh.

Atë vit, nga 5 mijë e 15 aplikacione të dërguara me postë, ishin 1 mijë e 640 votues të regjistruar përmes postës, por vetëm 1 mijë e 53 fletëvotime të dërguara me postë, apo shprehur në përqindje, 64.21 për qind.

Pas 4 vjetësh, në zgjedhjet tjera parlamentare, numri i aplikacioneve të dërguara me postë, i votuesve të regjistruar apo aprovuar përmes postës dhe fletëvotimet e dërguara ishte më i lartë.

Në atë kohë ishin 29 mijë 745 aplikacione të dërguara, 16 mijë e 569 votues të regjistruar/aprovuar përmes postës, 10 mijë e 648 fletëvotime të dërguara përmes postës, apo shprehur në përqindje, 64.26 për qind.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 pati ulje të numrit të votuesve jashtë Kosovës.

Atë vit ishin 20 mijë e 354 aplikacione të dërguara, 15 mijë e 118 votues të regjistruar përmes postës, 5 mijë e 246 fletëvotime të dërguara përmes postës, apo 34.70 për qind.

Viti 2019 shënoi rënie të numrit të votuesve jashtë vendit. Në këto zgjedhje parlamentare u dërguan 40 mijë e 313 aplikacione përmes postës, 35 mijë e 87 votues të regjistruar apo aprovuar përmes postës.

Por, numri i fletëvotimeve të dërguara përmes postës ishte dyfish më i ulët se ai i aplikacioneve të dërguara.

Vetëm 20 mijë e 200 fletëvotime u dërguan përmes postës, apo 57.57 për qind.

Këto të dhëna për Gazetën Express i ka deklaruar zëdhënësi i KQZ’së, Valmir Elezi.

Elezi deklaroi se nga viti 2013, KQZ ka lehtësuar procesin e aplikimit për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës dhe se falë kësaj është shtuar edhe numri i votuesve jashtë vendit.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, që nga viti 2013, ka lehtësuar procesin e aplikimit për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës, duke e përfshirë në rregullën zgjedhore për votim jashtë vendit edhe e-mail adresën, si një mundësi për të aplikuar, përveç faxit dhe fahut postar që shfrytëzoheshin pak deri në atë kohë. Të dhënat tregojnë se falë kësaj lehtësie është shtuar numri i aplikuesve dhe rrjedhimisht edhe votuesve jashtë vendit”, ka deklaruar Elezi.

Ai ka bërë të ditur se në vitin 2019 ka pasur numër më të madh të aplikimeve, por atë vit janë refuzuar më shumë se 5 mijë aplikacione.

“Numrin më të madh të aplikimeve e kemi pranuar në vitin 2019, pra kanë qenë gjithsej 40 mijë e 313 aplikacione për regjistrim, prej të cilave janë aprovuar 35 mijë e 87, ndërsa më shumë se 5 mijë ishin refuzuar për shkak të mosplotësimit të kritereve të përcaktuara me ligj”, ka deklaruar Elezi për Express.

Elezi ka treguar edhe për shtetet nga të cilat kanë ardhur dhe janë aprovuar më shumë aplikacione në zgjedhjet parlamentare të vitit 2019.

“Sipas të dhënave nga procesi i kaluar zgjedhor, 2019, më së shumti aplikacione të aprovuara kemi pasur nga Gjermania (11.449) dhe pastaj nga Zvicra (9.842) Serbia (4.337), Austria (1.387), Italia (1.137), Franca (1.091), Shtetet e Bashkuara (1020) dhe Suedia (1007)”, ka thënë Elezi.

Ndërkaq, më së shumti aplikacione të refuzuara në zgjedhjet e vitit 2019 kanë qenë nga Gjermania.

“Po ashtu, sipas të dhënave nga procesi zgjedhor i vitit 2019, më së shumti aplikacione të refuzuara kemi pasur nga Gjermania (1 766), Zvicra (1 313), Serbia (770), Suedia (202), Franca (152) dhe Shtetet e Bashkuara (141)”, ka deklaruar Elezi./GazetaExpress/