Ja rezultatet e Kosovës në Baku

Kosova i ka dhënë fund me humbje aventurës së vet në Lojërat Europiane, “Baku 2015”. Në fakt, ky eveniment zyrtarisht mbyllet të dielën, por për ekipin kosovar dje ka qenë gara e fundit, në të cilën ka zhgënjyer notari, Laurit Muja. Ky i fundit garoi në disiplinën 50 metra, stil i lirë, me kohë 27.00 sekonda. Kështu, ai përfundoi në vendin e 60-të të renditjes, respektivisht në pozitën e fundit.

“Baku 2015” ishte ngjarja e parë e madhe sportive në të cilën Kosova u paraqit si shtet i barabartë me vendet tjera evropiane.

Në këto Lojëra Evropiane vendin tonë e kanë përfaqësuar 18 garues, pjesa dërmuese prej të cilëve kanë regjistruar rezultate shumë të këqija, duke përfunduar kryesisht në vendet e fundit. Por, edhe kësaj here ka qenë sporti i xhudos, ai i cili sadopak i nxori nga kriza katastrofale e rezultateve ekipin kosovarë.

Kjo pasi Nora Gjakova e ka fituar medaljen e bronztë në kategorinë 57 kg, duke mos e lënë Kosovën duarthatë. Ndër sportistët tjerë që e përfaqësuan diç më mirë Kosovën në “Baku 2015” ishte edhe karateisti Alvin Karaqi, i cili e ka zënë vendin e katërt në kategorinë e tij, e po ashtu boksieri Armend Xhoxhaj, që hyri në mesin e tetë më të mirëve, por deri diku edhe xhudistja Distria Krasniqi.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT