Ja pesë arsyet pse Ronaldo është i mërzitur

 

Kristiano Ronaldo aktualisht ndodhet me pushime në Bahamas, por as qëndrimi në një nga vendet më të bukura të botës nuk mjafton që të qetësojë shpirtin e trazuar të yllit portugez. Sulmuesi është i mërzitur me mënyrën sesi kanë shkuar punët në muajt e fundit te Real Madridi. Sipas të përditshmes sportive spanjolle “AS”, këto telashe ishin arsyeja e rënies së formës së tij me fillimin e vitit 2015.

Kujdesi – Ronaldo kërkon më shumë mbrojtje nga ana e “galaktikëve”. Ai gjykon se klubi spanjoll nuk bëri aq sa duhet në media për të mbrojtur festën e tij të 30-vjetorit, pas humbjes 4-0 në “Kalderon” kundër Atletikos. Për më tepër që kjo festë u konsiderua si shkaku i rënies së nivelit të Realit në vazhdim. Gjithashtu, me largimin e Karlo Ançelotit nga stoli, sulmuesi tani ka humbur një aleat të rëndësishëm në klub. Po në muajin shkurt, pati edhe dy ditëlindje të tjera. Iker Kasijasi ishte në festën e bashkëshortes së tij, Sara Karbonero dhe presidenti Florentino Perez ishte i pranishëm në një event për nder të drejtorit të klubit Nikolas Martin Sanz. Të dyja këto festa nuk u përmendën fare nga mediat dhe kjo e bëri portugezin të ndihet keq.

Mjeku – Por te “galaktikët” situata brenda grupit nuk është e qetë sa duket. Midis futbollistëve dhe mjekut kryesor Hesus Olmo ka përplasje. Lojtarët nuk janë fare të kënaqur me mënyrën se si ai punon kur ata dëmtohen dhe gjithnjë kanë dëshiruar që në këtë detyrë të emërohet një tjetër person. Por Reali rinovoi dhe ky veprim solli mosaprovimin e Ronaldos, ashtu si edhe senatorëve të tjerë.

Trajtimi i shokëve – CR7 është i befasuar edhe me trajtimin që klubi po u bën dy shokëve të tij të ngushtë në skuadër, Iker Kasijasit dhe Serxhio Ramosit. Portugezi nuk arrin që ta kuptojë se përse po sillen aq keq ndaj dy ikonave të Realit, që kanë luajtur respektivisht nga 16 dhe 10 vite në këtë skuadër. Ai nuk do të donte që të përçmohej njëlloj, në rast të mosgjetjes së akordit për rinovim për arsye ekonomike.

Benitez – Trajneri i ri, Rafa Benitez, ka si preferencë të parë Garet Bejlin dhe jo atë. Spanjolli ka vendosur që t’i plotësojë dëshirën uellsianit ta pozicionojë atë pas sulmuesit. Kjo e kthen Ronaldon në një qendërsulmues. Portugezi trishtohet nga fakti që një lajm të tillë e mësoi nga media dhe jo nga vetë tekniku i ri, që para disa ditësh e takoi Bejlin në Kardif të Uellsit. Reali është një klub që respekton hierarkinë e futbollistëve dhe aktualisht CR7 është më i paguari.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT